Kompanitë dhe personat e vetëpunësuar do të jenë në gjendje të aplikojnë për masën për ndihmë për pagimin e pagave për muajt shkurt dhe mars nga pakoja e pestë e masave deri më 30 prill të këtij viti, njoftoi zëvendësministri i Financave Dimitar Kovaçevski në profilin e tij në Fejsbuk.
Në njoftimin thuhet se për mbështetjen financiare për kategoritë e prekshme të qytetarëve prej 6.000 denarë nga paketa e katërt e masave, për ata që nuk arritën të përdorin masën, do të jepet një afat shtesë deri më 31 maj për të azhurnuar të dhënat në mënyrë që ata t’i shfrytëzojnë ato.
“Afatet janë zgjatur përmes ndryshimeve të miratuara sot nga Komisioni i Financave dhe Buxhetit në Kuvend, në mënyrë që qytetarët dhe kompanitë të kenë afate reale për të përdorur masat. Ne presim që Kuvendi së shpejti të miratojë ligje në lidhje me masat ekonomike dhe sociale, të cilat do të ndihmojnë qytetarët dhe kompanitë për të kapërcyer më lehtë pasojat e krizës së kovidit”, thotë Kovaçevski.