Jemi në rrugë të mirë të gjejmë zgjidhje të përbashkët lidhur me një problem (ligjin e shtetësisë) që ekziston më shumë se tre dekada dhe që tangon një pjesë të madhe të qytetarëve të këtij vendi ku jetojnë, punojnë dhe paguajnë tatim, ka deklaruar sot kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev.
“Mendoj se me gjetjen e kësaj zgjidhje do të bëjmë hap të mirë edhe si shtet. Ne në këtë proces si koalicion udhëhiqemi nga imazhi që shteti duhet ta ketë në ndërtimin e kapaciteteve demokratike. Një shtet është demokratik derisa i respekton të drejtat e njeriut, ai është distinkcion që bëhet mes shteteve që janë demokratike dhe shtete që janë totalitare. Zgjidhja e kësaj çështje, e këtyre qytetarëve na bën një hap para drejt shteteve të civilizuara, aleanca të shteteve ku synojmë të jemi të gjithë”, ka thënë Sela.
Të njëjtën e ka theksuar edhe kryetari i Alternativës, Afim Gashi i cili ka thënë se ka progres në negociatat dhe se janë optimistë të mëdhenj se për disa ditë do të arrihet deri te një tekst i përbashkët dhe zgjidhje me çka do t’i jepet fund problemit me ligjin e shtetësisë.
“Edhe ne edhe përfaqësuesit e pushtetit bazohemi në standarde që praktikohen në shtetet më të zhvilluara evropiane. Duam që ligji për shtetësi të jetë ashtu, me standarde të larta evropiane dhe të jetë në funksion të zgjidhjes së këtij problemi shumëvjeçar. Qëllimet tona nga fillimi kanë qenë të zgjidhim ky problem i qytetarëve”, ka deklaruar Gashi.
Njëherësh Gashi ka ftuar VMRO-DPMNE-në dhe Të Majtën të mos jenë pengesë e miratimit të këtij ligji.
“Kur tanimë në dukje është zgjidhja e problemit me ligjin e shtetësisë, ndërsa VMRO-DPMNE ka interes të sillet ligji për pakon e pestë të masave ekonomike, i ftojmë t’i tërheqin amendamentet për ligjin e shtetësisë dhe ne do të tërheqim amendamentet për ligjin për pakon e pestë të masave ekonomike”, ka thënë Gashi.