Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë, Ramazanit.
Duke treguar vlerat e rëndësishme që ka ky muaj, ka ftuar qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga virusi Kovid-19.
Thekson se mbrojtja e shëndetit, në një gjendje të jashtëzakonshme siç është pandemia, do të jenë një vlerë e veçantë për besimtarët në këtë muaj.
“Nesër është dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit, ditë kjo me të cilën fillon kryerja e obligimit të shenjtë të agjërimit të ditëve të tij. Muaji i Ramazanit po na vjen me vlera dhe begati të shumënumërta, me të cilat formojmë dhe ngritim lartë personalitetin tonë të besimtarit të denjë. Zbritja e Kur’anit Famëlartë në këtë muaj, si dhe agjërimi i ditëve të tij për hir të All-llahut Fuqiplotë, forcon vetëdijen tonë mbi Zotin, moralin, durimin, sakrificën, paqen, tolerancën, humanizmin dhe bujarinë. E gjithë kjo hap dyert e lutjeve tona drejt Madhërisë së Zotit, për të pastruar të menduarit, zemrat dhe shpirtrat tonë, dhe më në fund për të merituar faljen dhe ndihmën e të Madhit Zot, sepse i dashuri ynë Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush agjëron Muajin e Ramazanit me besim të plotë dhe me vetëdije të lartë, All-llahu Fuqiplotë i falë të gjitha mëkatet e mëparshme””, thekson në urim, Fetahu.
Nga kjo, siç shton, kuptojmë se muaji Ramazan na ofron një ambient të shenjtë, i cili duhet të shfrytëzohet në relacion të paluhatshëm me Krijuesin tonë, në paqe me të gjithë, me bujari dhe solidaritet me të varfrit, me afrim ndaj njëri-tjetrit.
“Edhe ky Ramazan po na gjen në gjendje të jashtëzakonshme shkaku i Pandemisë KOVID-19, prandaj kujdesi i nivelit të lartë dhe disiplina precize e jona për të respektuar të gjitha rekomandimet me qëllim mbrojtjen nga kjo sëmundje, do të jetë një vlerë e jona në këtë muaj të shenjtë për të dhënë kontributin e vazhdueshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje, andaj, le të jetë ky muaj një inspirim i gjallë për ngritjen e vetëdijes sonë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë shëndetësore”, tha mes të tjerash në urimin e tij, Fetahu.
Besimtarët sot fillojnë ritualet e muajit të shenjtë të Ramazanit, por faljet në xhami, siç ndodh me teravitë nuk do të mund t’i realizojnë për shkak se Maqedonia e Veriut ka në fuqi masën e ndalesës së lëvizjes – orës policore e cila fillon në ora 20:00 dhe mbaron në ora 05:00 të ditës së nesërme.
Kjo masë është në fuqi deri më 20 prill për shkak të rritjes së numrit të infektimeve nga Kovid-19 dhe të pacientëve të shtrirë në spitalet e vendit.