Gjatë fundjavës kishte ulje të numrit të pacientëve të sapopranuar në të gjitha institucionet spitalore në Shkup dhe përgjatë shtetit në krahasim me fundin e javës së kaluar, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai tha se edhe pse ka trend të tillë të uljes, ende janë të kujdesshëm dhe syhapur e ndjekin situatën.
“Ka kapacitet të mjaftueshëm të shtretërve të lirë spitalorë, ende zgjat sistemi i rrotacionit, koordinimit në lidhje me pranimet e pacientëve ndërmjet institucioneve, si në Shkup ashtu edhe ne mesin e spitaleve të tjera dhe atyre të Shkupit, kështu që në atë kuptim besoj se trendi do të vazhdojë, por ne ende jemi të kujdesshëm dhe syhapur e ndjekim situatën”, tha Filipçe.
Theksoi se numri i sotëm i të sapodiangostikuarve është rreth 300, por kjo, siç tha, pritej, sepse gjithmonë të dielën bëhen më pak teste.
“Dita e nesërme do të jetë me të vërtetë një tregues nëse ai trend i uljes së të sapodiagnostikuarve që ishte dhe zgjaste gjatë javës së kaluar do të vazhdojë, diçka që është shumë e rëndësishme edhe sa i përket asaj se si do të veprojmë në pjesën e rekomandimit për masat e mëtutjeshme parandaluese, ashtu edhe në pjesën e planifikimit të kapaciteteve spitalore”, tha Filipçe.