Ministri i Financave Fatmir Besimi, mbajti disa takime me kryetarët e odave ekonomike, ku u diskutua për reformën tatimore dhe planin e veprimit gjatë këtij viti, lidhur me Strategjinë e reformës tatimore për periudhën 2021-2025. Në këto takime ishin të pranishëm: Branko Azeski – kryetar i Odës ekonomike të Maqedonisë, Nebi Hoxha – kryetar i Odës së Maqedonisë Veriperëndimore, Shtefan Peter – kryetar i Këshillit të investitorëve të huaj, Viktor Mizo – kryetar i Asociacionit të kompanive me prodhimtari përparuese teknologjike, Ajdovan Ademoski – kryetar i MATTO-s, Patrik Martens – kryetar i Delegacionit të ekonomisë gjermane, Aneta Antova Pesheva – kryetare e MASIT, Nina Angellovska – kryetare e Asociacionit për e-tregti dhe Dragan Mitkovski – nënkryetar i Lidhjes së odave ekonomike.
Ministri Besimi theksoi rëndësinë e partneritetit të Qeverisë me sektorin privat dhe tha se përveç masave të ndërmarra e rëndësishme është edhe konsistenca dhe procesi inkluziv me palët e interesuara gjatë marrjes së vendimeve.
“Reformat e sistemit tatimor janë në drejtim të vendosjes së një sistemi tatimor bashkëkohor, transparent dhe efikas që bazohet në rregulla dhe parime të qarta si dhe në teknologji bashkëkohore dixhitale dhe inovacione në tatimim, me qëllim të arritjes së rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe e qëndrueshme”, tha Besimi, ndërsa potencon se kalendari tatimor do të publikohet ditën e hënë në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, me ç’rast do të përmbushet një nga kërkesat kryesore të odave ekonomike.
Gjatë takimit, njëherit u diskutua edhe për prioritetet e Strategjisë për reformën tatimore, që janë në drejtim të drejtësisë më të madhe në tatimim, efikasitet dhe efektivitet më të madh të sistemit tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave, ulje të ekonomisë joformale, transparencë më të madhe tatimore, cilësi më të mirë të shërbimeve dhe vendosje e tatimimit ekonomik (të gjelbër).