Kryeministri Zoran Zaev pret që në prill të formohet qeveria e re e Bullgarisë dhe me këtë të vazhdojnë bisedimet dhe të gjendet zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për të dyja palët, pasi siç tha, “kjo është në interes të gjithë Ballkanit Perëndimor, BE-së si dhe në interes të popullit bullgar”.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve sot në konferencë shtypi për atë se cilat janë pritjet pas formimit të qeverisë në Bullgari dhe nëse do të hiqet vetoja e tyre për anëtarësimin tonë në BE, ai ka thënë se është i sigurt se do të gjendet zgjidhje, por ka porositur se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë temë e bisedimeve dhe negociatave.
Zaev ka theksuar se Bullgaria në vazhdimësi i mbështet eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Me rëndësi është se çfarë historie shkruajmë sot, me rëndësi është çka do t’ju lëmë të rinjve, gjeneratave të ardhshme”, ka thënë Zaevi në konferencën për media me ministrin e Financave, Fatmir Besimi ku kanë folur për efektin përmbledhës nga katër pakot e masave ekonomike.