Kuvendi e filloi procedurën për shtyrjen e regjistrimit, që do të mbahej nga 5 der më 30 shtator. Deputetët dje e votuan nevojën për miratimin e Propozim-ligjit për për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021, me procedurë të shkurtuar. Ndryshimet e Ligjit për regjistrim morën mbështetje në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa sot paradite janë para Komisionit Ligjdhënës-Juridik.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi informoi se sipas Rregullores ndryshimet e Ligjit për regjistrim duhet të shqyrtohen në komisionet amë për Çështje Evropiane dhe për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Midis Bashkësive dhe në Komisionin Ligjdhënës-Juridik. Pasi do të ketë raport se komisionet kanë përfunduar me punë, në pajtim me kohën dhe afatet, deputetët do të njoftohen për vazhdimin e seancës së 38-të, në rend dite të së cilës janë shtyrja e regjistrimit dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, me të cilin parashihet përdorimi i përdorimi i terminaleve për leximin e gjurmëve të gishtërinjve në zgjedhjet lokale, të cilat gjithashtu do të shtyhen për gjysmën e dytë të tetorit.
Shtyrja e regjistrimit nga prilli për në shtator ishte dakorduar në takimin e liderëve midis kryeministrit Zoran Zaevit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickoskit.
Kryeministri Zaev shfaqi bindje se Parlamenti do t’i miratojë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrim për shtyrjen e tij për në shtator, ndërsa sepse vetë operacioni ka filluar në pajtim me Ligjin ekzistues me fazë përgatitore për aktivitete në terren, të gjitha materialet të cilat eventualisht do të përpunohen, do të merren parasysh.
“Nuk ka nevojë për kurrfarë përgjegjësie, pasi me miratimin e vet ligjit të gjitha materialet të cilat sot janë përpunuar do të merren parasysh. Qartë është se ditët e para janë përgatitëse për dalje në terren të vet regjistruesve, ashtu që besoj se nuk do të ketë nevojë për kurrfarë dileme. Me ligjin e kemi arritur qëllimin e madh që në të vërtetë të gjithë të kyçen në procesin e regjistrimit të popullatës”, deklaroi kryeministri Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai theksoi se me miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për regjistrim, të cilin e pret sot ose nesër, nuk do të ketë nevojë të shkohet në terren, e të bëhen ndërprerje dhe të vazhdohet prej 5 shtatorit.
“Regjistrimi si proces fillon më 1 prill, prej sot regjistrimi është në fazë përgatitore për terren, organizimin e grupeve, vendosjen sistematike të menaxhimit të të dhënave, që i grumbullojnë dhe pastaj fillojnë aktivitetet në terren. Ashtu që unë besoj se Parlamenti sot ose nesër do të mund t’i miratojë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrim, që të mos ketë nevojë shtesë që të shkohet në terren, e të bëhen ndërprerje, që pastaj të vazhdohet prej 5 shtatorit e andej. Ashtu që zyrtarisht sipas Ligjit regjistrimi fillon sot, por filloi faza përgatitore e aktiviteteve në terren. Besoj se këtu do të menaxhohet, por nëse në pjesën e përfunmdimit të fazës përgatitore edhe fillon hapi i dytë, respektivisht aktivitetet në terren, çdo listë regjistruese, respektivisht material që është bërë, do të ruhet dhe do të jetë i vlefshëm. Ashtu që ekzistojnë zgjidhje teknike për këtë çështje”, tha Zaev.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa mbetet në qëndrimin se nuk duhet të ketë shtyrje të regjistrimit. “Ne i bëjmë thirrje arsyes dhe ndërgjegjësimit të deputetëve shqiptarë që të përdorin Badenter dhe të parandalojnë shtyrjen, sepse kërkesa e dy liderëve mono-etnikë Zaev dhe Mickoski nuk ishte për arsye shëndetësore, por krejtësisht politike, nga frika se shqiptarët do të jetë më shumë sesa kishin planifikuar, ndërsa maqedonasit me bojkot do të provojnë të jenë më pak. Ne nuk do të lejojmë një lojë të tillë politike”, tha koordinatori i grupit të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës Rexhepi.