Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Zhozep Borell, e pranoi propozimin e nëntë shefave të diplomacive të cilat kanë kërkuar “Ballkani Perëndimor të kthehet në rendin e ditës së Unionit” dhe më 19 prill në Luksemburg do të mbahet diskutim i veçantë për perspektivën evropiane të rajonit, informoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Greqisë, Aleksandros Papajoanu në brifingun e rregullt me gazetarët.
Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, përgjigjja pozitive e Borellit është në letrën e dërguar më 5 mars dhe të nënshkruar nga shefat e diplomacive të Austrisë, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Çekisë.
“Qëllimi kryesor ishte të kërkohet diskutim strategjik në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, siç shkruajnë ministrat, për shkak të rëndësisë që ia japin këtij rajoni dhe gjithashtu duke potencuar se për fat të keq diskutim të tillë të fundit pati në gusht të vitit 2019 dhe se është koha për një diskutim të tillë. Në këtë kornizë, zoti Borrell e pranoi këtë propozim dhe është planifikuar të mbahet diskutim i veçantë për Ballkanin Perëndimor, për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, në takimin e ardhshëm të ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian më 19 prill në Luksemburg”, sqaroi Papajoanu në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina.
Lidhur me memorandumet e treta midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut të cilët mbi gjashtë muaj janë në Parlamentin grek, pasi nga mesi i shtatorit janë dorëzuar dhe akoma presin të ratifikohen, ndërsa në mediat në Greqi ka shkrime se mund të vihen në rend dite deri në fund të prillit, Papajoanu tha se është çështje për të cilën kompetencën e ka Dhoma ligjdhënëse greke.