Ambienti i ish-fabrikës OHIS, ku janë depozituar një numër i madh i substancave toksike, po pastrohet në vazhdimësi, citohet në përgjigjen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për MIA-n në lidhje me situatën me substancën lindan në ish gjigandin kimik. OHIS dhe lindani janë ende një temë aktuale, pasi rreth 50,000 tonë lindan u groposën në deponinë e vogël dhe të madhe në vitet 1970 dhe 1980, duke kërcënuar shëndetin e banorëve të kryeqytetit, por edhe duke rrezikuar ajrin, ujin dhe tokën.
Sipas përfaqësuesve të Nismës O2, intensiteti i zgjidhjes së problemit është larg asaj që duhet për pastrimin e substancave të dëmshme që janë një rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, gjatë gjithë vitit dhe në të gjitha kushtet e motit.
Nga MMPH-ja për MIA-n thonë se burimet e vlerësuara financiare sipas Studimit të Fizibilitetit për pastrimin e plotë të lindanit nga dy deponitë në OHIS janë 50 milionë euro.
“Pastrimi dhe rehabilitimi i deponisë së vogël dhe të madhe me lindan mbeti një detyrim i shtetit. Heqja e pengesave teknike dhe ekonomike për fillimin e aktiviteteve të pastrimit në vendet e ndotura me α-HCH, β-HCH dhe γ-HCH (lindane) në OHIS”, është një projekt i aprovuar nga Fondi Global Ekologjik (GEF) dhe i zbatuar përmes UNIDO, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe i referohet pastrimit të deponisë së vogël”, citojnë nga MMPH.
Ministria theksoi se brenda realizimit të projektit, UNIDO nënshkroi një Marrëveshje me ofertuesin më të mirë të përzgjedhur – kompaninë greke Polieko, për pastrimin e lindanit nga një pjesë e deponisë së vogël në OHIS dhe trajtimin jashtë vendit.
“Një procedurë për aprovimin e Planit të Rehabilitimit është në proces. Gjegjësisht, kompania Polieco tashmë ka dorëzuar Planin e Rehabilitimit i cili është shqyrtuar nga një kompani ndërkombëtare konsulente e punësuar nga UNIDO dhe shërbimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe për të cilin janë paraqitur komente dhe vërejtje. Ndërkohë, kompania rishikoi Planin e Rehabilitimit sipas vërejtjeve dhe pas një rishikimi tre herë sipas vërejtjeve, ai u paraqit në MMPH. Plani përfundimtar i rehabilitimit pritet të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, për të cilin MMPH duhet të japë pëlqim. Pas marrjes së pëlqimit dhe lejeve në përputhje me Konventën e Bazelit për Transportin e Mbetjeve të Rrezikshme, kompania Polieco do të jetë në gjendje të fillojë aktivitetet përgatitore në fushën e nevojshme për pastrimin e sigurt të lindanit”, shtojnë nga MMPH-ja.
Nga Ministria theksojnë se pritet që brenda fundit të këtij muaji pas marrjes së të gjitha miratimeve dhe lejeve për punë në terren, të fillojë procesi i heqjes së një pjese të deponisë së vogël, i cili do të zgjasë rreth 6-9 muaj dhe nga ky proces do të hiqeshin sasitë e para (~ 700 ton) të tokës së ndotur me HCH dhe mbetje të pastra HCH.
“Një nga qëllimet kryesore të projektit është të sigurojë qëndrueshmëri të të gjithë operacionit të pastrimit, deri në eliminimin përfundimtar të mbetjeve HCH në OHIS. Prandaj, Ministria e
Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po shqyrton mundësitë dhe po vijon negociatat për të siguruar fonde shtesë që do të vazhdojnë procesin e dekontaminimit të materialit tjetër të kontaminuar me HCH brenda OHIS”, tha MMPH.
Nga Ministria theksojnë se është themeluar Fond i Veçantë Mjedisor Multi Partner, i cili do të administrohet nga UNOPS, i destinuar për pastrimin e kontaminimeve të mbetura në OHIS.
“Fonde shtesë tashmë janë siguruar nga Qeveria norvegjeze dhe janë parashikuar fonde nga programi IPA 3, të cilat do të mundësojnë vazhdimësi në pastrimin e deponive me HCH në zonën e SHA OHIS Shkup”, deklarojnë nga MMPH.
Nga Nisma O2 për MIA-n theksojnë se positive është ajo që një pjesë e mbeturinave janë hequr, por, siç theksuan ata, problemi më i madh mbetet i pazgjidhur, lindani në deponinë e madhe dhe të vogël brenda OHIS, por edhe lokacioni i tretë, Pelenica, e cila është në afërsi të OHIS-it dhe e cila dihet se është po aq e rrezikshme sa edhe dy zonta në fabrikë.
“Ky nuk është një proces i vazhdueshëm që zhvillohet për disa dekada, me disa vështirësi, të cilat çuan në pastrim të plotë dhe japin rezultate, në mënyrë që ne, si qytetarë, të jemi të kënaqur. Kush mund të kënaqet nëse më në fund, pas vitesh, dekadash, thirrjesh të vazhdueshme për të pastruar mjedisin OHIS, dikush më në fund ka lëvizur disa milimetra në drejtimin e duhur. OHIS është një problem i madh, i pranishëm për dekada, diçka është bërë, por në përgjithësi kjo pjesë e qytetit është ende një rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, gjatë gjithë vitit dhe në të gjitha kushtet e motit”, citojnë nga Iniciativa O2 .
Shoqata vuri në dukje se brenda kërkesave të Frontit të Gjelbër ata kërkuan fillimin e procesit të rehabilitimit dhe sanimit të të gjitha pikave të nxehta, përfshirë OHIS.
“Ne i kërkuam Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të publikojë një plan veprimi për secilën nga pikat e nxehta, me afate, buxhet, me informacion bazë mbi llojin e ndotjes, sasitë, rreziqet kryesore, për të përgatitur studime, statusin e aktiviteteve të ndërmarra dhe ato të mbetura, deri në rehabilitimin e plotë dhe sanimin e plotë. Ju ndoshta e dini që nuk ka asgjë nga ato”, deklarojnë nga Nisma O2.
Ata shtuan se deri më tani duhet të ishte zgjedhur dhe shpallur publikisht kontraktori për tenderin i cili do të punojë në pastrimin e deponive.
“Vazhdimisht, për vite me radhë ka vetëm njoftime, por nuk ka realizim. Ne vazhdimisht po pyesim, po bëjmë presion. Zgjidhja e pjesshme e problemit nuk është në të vërtetë një zgjidhje, është vetëm një krijim i përkohshëm i një atmosfere që diçka zgjidhet, ndërsa në fakt, thelbi i problemit as që preket. OHIS mbetet një nga 16 pikat e nxehta në vend, dhe ky intensitet i zgjidhjes së problemit është larg nga i duhri”, konkludoi Nisma O2.
Në lidhje me detyrimin e shtetit për të hequr mbeturinat kimike të paidentifikuara historikisht nga qarku SHA OHIS Shkup, MMPH-ja deklaroi se është hequr sasia e fundit prej rreth 4.6 tonë iniciatorë dhe 5.2 tonë kimikate me përbërje të panjohur, e cila u ripaketua dhe u dërgua për shkatërrim në Francë. Me këtë, siç theksuan ata, projekti “Heqja e sigurt e substancave kimike nga vendet dhe impiantet e prodhimit brenda SHA OHIS Shkup është kompletuar plotësisht.
“Brenda këtij projekti, MMPH ishte i detyruar të përgatisë udhëzime për procesin dhe mënyrën e realizimit të detyrave të EKO CENTAR 97 SHPPKNJ dhe SIRIUS STAR BG SHPK për të realizuar shërbimin për heqjen, zhvendosjen, shkatërrimin ose neutralizimin e produkteve kimike nga vendet dhe impiantet apo repartet e prodhimeve nga qarku i SHA OHIS Shkup në falimentim për të cilat është aprovuar Elaborat për mbrojtjen e mjedisit. I gjithë procesi, në përputhje me masat e përshkruara në detaje, u monitorua nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit. Duke marrë parasysh që në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk ka instalim për trajtimin dhe shkatërrimin e kimikateve të mbetjeve të depozituara në SHA OHIS Shkup, ato duhej të eksportoheshin jashtë vendit”, shtojnë nga MMPH-ja.
Ministria komunikoi se përkundër kushteve të vështira të transportit të shkaktuara nga pandemia e virusit KOVID 19, kontraktuesi përsëri siguroi të gjitha lejet e nevojshme për eksportin e mbetjeve të rrezikshme, në përputhje me Konventën e Bazelit.
“Në këtë proces, u hoqën rreth 80 ton mbetje historike, si më poshtë: 25 ton monomer akrilonitril (destinacioni përfundimtar i deponimit, Bazel “SUEZ” Gjermani), 15 tonë mbetje kimike me përbërje të panjohur, ngarkesa e mbeturinave-hidroperoksid butil, iniciator perkaboks amin, iniciator preoksan BCC dhe iniciator butil hidroperoksid 70 për qind. (destinacioni i deponimit përfundimtar TREDI SA, Francë), 84 fuçi (15,120 kg) mbetje metanoli (destinacioni përfundimtar i asgjësimit në Bullgari), 13.5 ton monomer klorur vinil (destinacioni përfundimtar i asgjlsimit, SUEZ Bazel Gjermani) dhe 4.6 ton iniciatorë dhe 5.2 ton të kimikateve me përbërje të panjohur (Francë)”, deklarojnë nga MMPH.
SHA OHIS, veprimtaria e të cilës ishte prodhimi i pesticideve, acideve, detergjenteve, plastikave PVC, bojra dhe llak, është në falimentim. Fabrika në vitet ’70 ka prodhuar gjithashtu hekzaklorocikloheksan (HCH. Gama i kësaj përbërje organike në të vërtetë është lindani, i cili më pas u përdor si insekticid. Në vitin 2009, sipas Konventës së Stokholmit mbi ndotësit organikë rezistentë, prodhimi i kësaj substance u ndalua dhe Maqedonia e Veriut është një nga nënshkruesit e Konventës. Lindani tani është i ndaluar për përdorim në më shumë se 50 vende. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo substancë konsiderohet toksikisht e moderuar dhe tregtia ndërkombëtare e kësaj lënde është e ndaluar dhe e rregulluar nga Konventa e Roterdamit.
Simona Mitrovska
burim: MIA