Eurokomisari për Zgjerim, Oliver Varheji në fjalimin e tij para eurodeputetëve në fillim të debatit për raportet vjetore për progresin për vendet e Ballkanit Perëndimor, shfaqi shpresë se ende ka mundësi që konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut të mbahet gjatë presidencës portugeze me BE-në, gjegjësisht para 1 korrikut.
Varheji e lavdëroi Raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejtë BE-së të raportuesit Ilhan Qyqyk dhe vlerësoi se ai përputhet me të dhënat e Komisionit Evropian.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë thelbësore e progresit drejtë BE-së, marrëveshjeve bilaterale, Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja me Bullgarinë duhet edhe më tutje të zbatohen në besim të të dyja palëve. I inkurajoj Shkupin dhe Sofjen që t’i ndajnë përpjekjet që të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjet bilaterale, i inkurajoj të gjitha palët që të sillen në mënyrë konstruktive dhe të përmbahen nga deklaratat dhe aksionet të cilat i minojnë interesat më të gjera të BE-së”, deklaroi Varheji.
Ai vlerësoi se, megjithatë, Maqedonia e Veriut ka ende “shumë punë” në pjesën e reformave.
“Vendimi i vendeve anëtare të BE-së që të hapin bisedimet me Maqedoninë e Veriut ishte historik, dhe me padurim presim që të miratohet korniza negociuese dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare, shpresoj ende gjatë këtij kryesimi”, tha Varheji.
Disa grupe parlamentare dorëzuan Amendament të veçantë për raportin e vendit për mbështetje për marrëdhënien konstruktive të Maqedonisë së Veriut dhe kritika për deklaratat provokatore të Sofjes, por për momentin është e paqartë nëse ai do të fitojë mbështetje.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut dhe autor i raportit, eurodeputeti bullgar Ilhan Ququk, para fillimit të debatit porositi se është me rëndësi që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të vazhdojnë dialog konstruktiv dhe të arrijnë kompromis për Planin e Veprimit, i cili rregullisht do të vlerësohet në bazë të Marrëveshjes për Miqësi dhe në këtë mënyrë “do të mund të rifillojë procesi evropian për Maqedoninë e Veriut” dhe do t’i mundësohet BE-së që ta organizojë konferencën e parë ndërqeveritare.
“Shtyrjet shtesë do ta rrezikojnë objektivitetin e procesit të anëtarësimit, duhet të përqendrohemi në pasqyrën e madhe, nevojitet që të ndërtojmë ura për bashkim në vend se mure të cilat na ndajnë”, deklaroi Ququk.