Më shumë se çdo fatkeqësi tjetër, pandemia na tregoi se sa është e rëndësishme të ulim rreziqet dhe të ndërtojmë rezistencë ndaj katastrofave. Pandemija ka mbyllur kufijt, ka ngrirë proceset socio-ekonomike dhe ka rritur besueshmërinë për rreziqe të vjetra, por edhe të reja, komplekse dhe sistemore. Këto janë sfida serioze edhe për shumë shtete më të mëdha dhe më të pasura. Një problem shtesë për ne është fakti se, përveç burimeve të kufizuara njerëzore, materialo-teknike dhe financiare, ne gjithashtu përballemi me një mungesë kronike të koordinimit dhe bashkëpunimit institucional.
Këtë e theksoi Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në konferencën e sotme onlajn “Kapacitet i përmirësuar për parandalimin e fatkeqësive dhe menaxhimin e krizave në nivel lokal”, në organizim të Institutit për demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS).
Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit për përparimin e Maqedonisë së Veriut, përkujtoi Pendarovski, kërkoi në mënyrë të prerë përmirësimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrës për Menaxhimin e Krizave.
Pandemia, bëri të ditur Pendarovski, është test stresi jo vetëm për sistemin shëndetësor, por edhe për menaxhimin e krizave, për sistemet e menaxhimit të krizave dhe mbrojtjes dhe shpëtimit, jo vetëm në nivel kombëtar, siç mendojmë shpesh, por edhe në nivel lokal. Shumë nga komunat tona, bëri të ditur ai, kanë probleme me përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e tokës, rrëshqitjet e gurëve dhe ndotjen. E dimë që sa herë që ndodh një fatkeqësi ose katastrofë, tha kreu i shtetit, bashkësitë lokale janë të parat që goditen, prandaj, dhe të parët që duhet të reagojnë janë autoritetet lokale dhe njësitë rajonale të institucioneve kompetente.
“Duhet të punohet edhe në dokumente strategjike dhe operative. Ndonëse iu qasëm Kornizës Sendai për uljen e rrezikut nga katastrofat, ende nuk janë miratuar as strategjitë kombëtare dhe as ato komunale për uljen e rrezikut nga katastrofat. Ne jemi një nga shtetet e pakta, që ende nuk ka vendosur kornizë për rimëkëmbje në fazën e hershme dhe vijuese”, thekson Presidenti Pendarovski.
Ai shtoi se hulumtimi nga Instituti i demokracisë “Societas Civilis” sugjeron që na mungon një qasje sistemor për uljen e rrezikut nga katastrofat. Pendarovski vlerësoi se kjo ka të bëjë me perceptimin e gabuar të rreziqeve si dukuri të izoluara hapësinore, kohore dhe funksionale në vend se si të lidhura ngushtë mes vete.
“Bashkësitë politike rezistente ndërtohen me të kuptuarit thelbësor të kompleksitetit të rreziqeve dhe me investime afatgjata në ndërtimin e kapaciteteve për parandalim, përgjigje dhe rehabilitimin pas krizës.
Ne kemi nevojë për një qasje sistematike ndaj strategjive kombëtare dhe lokale që do të mundësojnë integrimin e kapaciteteve dhe burimeve të disponueshme në të gjitha nivelet, dhe mirëmbajtjen dhe azhurnimin e tyre të vazhdueshëm, në mënyrë që të jenë në dispozicion atëherë kur nevojitet më së shumti. Ndryshe nga menaxhimi i katastrofave, që për nga natyra është reaktiv, menaxhimi i rreziqeve është, mbi të gjitha, parandalues”, theksoi Pendarovski.
Është e rëndësishme, porositi ai, të ekzistojë vullnet politik në nivelin qendror dhe lokal. Por, tha Pendarovski, kjo nuk është një detyrë vetëm për institucionet shtetërore, por për të gjithë shoqërinë, për bashkësinë akademike dhe atë të biznesit dhe për sektorin joqeveritar.
“Së bashku, duhet të ndërtojmë kulturë individuale dhe kolektive të rezistencës dhe, natyrisht, të përgjegjësisë. Me këtë rast, të mos jemi idealistë naivë dhe të mbështetemi vetëm në vullnetin e mirë të kompetentëve sipas ligjit. Inspektimi i vazhdueshëm është vegla kryesore në mbylljen e rrethit të përgjegjësisë”, nënvizoi Presidenti i shtetit.
Kjo mund të tingëllojë shumë ambicioze, bëri të ditur ai, por unë jam i bindur se kjo është e realizueshme.
Përkujtoi se në vitin 2004 dhe 2005 u vendosën sistemet për mbrojtje dhe shpëtim dhe për menaxhimin e krizave. Që nga viti 2009, me disa ndërprerje, është zhvilluar Platforma kombëtare për uljen e rrezikut nga katastrofat, gjë që e thekson nevojën për të zbatuar metodologji për vlerësimin , hartëzimin dhe monitorimin e rreziqeve që do t’u shërbente vendimmarrësve në hartimin e strategjive, politikave dhe ligjeve. Korniza Sendai, theksoi Presidenti Pendarovski, për uljen e rreziqeve nga katastrofat është një udhëzues i qartë në këtë drejtim.
Kreu i Shtetit u shpreh i bindur se ky projekt i Institutit për Demokraci, i mbështetur nga Ambasada britanike në Shkup, mund të ndihmojë në krijimin e bashkësive dhe komunave rezistente dhe inkurajon kryetarët e komunave, anëtarët e këshillave komunalë, drejtorët e njësive rajonale në të gjitha komunat në shtet që t’i bashkëngjiten këtij aksioni.
Në këtë drejtim, iu referua faktit se para do kohë inicioi edhe konferencë dhe debat më të gjerë për përgatitjen e një ligji të veçantë për gjendje të jashtëzakonshme me të cilin do të rregullohen të gjitha boshllëqet dhe dilemat ligjore me të cilat jemi përballur, duke organizuar sistemin në rrethana jostandarde.
“Me çdo prolongim do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ndërtohet rezistencë dhe përgjegjësi strukturore. E çmimin për këtë do ta paguajnë qytetarët. Mos të harrojmë se rezistenca ndaj katastrofave është një parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm të çdo komune. Dhe kjo nuk është një shpenzim, por investim në të ardhmen”, porositi Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij në konferencë.
Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Maqedoninë e Veriut, Rejçëll Gallovej, bëri të ditur në fjalimin e saj se një vit pas krizës së shkaktuar nga pandemia KOVID 19, qeveritë po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në lidhje me transportin, udhëtimet ndërkombëtare, shkollat, ngjarjet publike dhe masa të tjera për të krijuar distancë sociale. Sipas saj, ajo që po ndodh në nivelin lokal ndikon drejtpërdrejt tek qytetarët, por gjithashtu u tregon atyre rrugën drejt autoriteteve lokale dhe kontakteve në përgatitjet e përgjigjes ndaj krizës.
Pandemia na ka dhënë disa mësime, theksoi ambasadorja Gallovej, duke shtuar se autoritetet lokale duhet të kenë gjithashtu sisteme të forta krizash që do të jenë në gjendje t’u përgjigje shpejt sfidave.
Sipas ambasadores Gallovey, pandemia ka treguar se është mekanizëm shumë i rëndësishëm efektiv për koordinim midis autoriteteve kombëtare dhe lokale, ndërsa për një koordinim të suksesshëm janë thelbësore kapacitetet e forta në nivel lokal dhe qendror.
Zoran Petrov, koordinator kombëtar për zbatimin e platformës kombëtare për uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë dhe katastrofat theksoi se pasojat nga fatkeqësitë ndjehen më së shumti në nivelin lokal, fatkeqësitë elementare dhe katastrofat kanë karakteristika specifike lokale për secilin lloj të rajonit. Prandaj, nënvizoi ai, detyrimi i autoriteteve lokale është të punojnë në këtë sfidë me përgjegjësi, plan dhe në mënyrë të organizuar duke përpiluar vlerësime dhe plane për uljen e rreziqeve nga katastrofat. Gjëja më e rëndësishme, thekson ai, është që dokumentet e përpiluara të përpunohen praktikisht. Përkujtoi edicionin e katërt të rishikuar të platformës kombëtare për uljen e rreziqeve nga katastrofat, të miratuar në shtator të vitit 2019, në të cilën mes tjerash, bëhet thirrje për rritjen e strategjive lokale në vitin 2020 dhe decentralizimin e aktiviteteve për uljen e rreziqeve nga katastrofat në nivel lokal. Një nga prioritetet për të cilën po punohet intensivisht, tha Petrovi, është përgatitja e një Plani të veprimit për zbatimin e Platformës kombëtare për uljen e rreziqeve dhe katastrofave, me qëllim të përmirësimit, zhvillimit dhe forcimit të sistemit, si dhe ndërtimin e një sistemi efikas dhe funksional për parandalimin dhe paralajmërimin e hershëm nga katastrofat e mundshme.
Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, theksoi se në nivelin global dhe kombëtar, vazhdimisht bëhen përpjekje sistematike për të forcuar kapacitetet dhe aftësitë për parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve, me qëllim që të menaxhohen me sukses në mënyrë që të mos shndërrohen në situata krize dhe katastrofa. Sistemi i menaxhimit të krizave, tha ai, po përmirëson vazhdimisht kapacitetet dhe aftësitë e tij, si në nivelin kombëtare, ashtu edhe në atë lokal. Punohet në modernizimin e sistemeve të informacionit-komunikimit, vednosjen e numrit të vetëm evropian për thirrje në raste emergjente E112, me çka sistemi i menaxhimit të krizave do t’i vendosë maksimalisht në funksion qytetarët dhe autoriteteve lokale.
“Zbatimi i masave dhe aktiviteteve të nevojshme në përballjen me pandeminë e theksoi nevojën e fuqishme për sinergji mes sistemit të menaxhimit të krizave dhe sistemit shëndetësor në shtet, si dhe nevojën për koordinim të plotë me sistemin e vetëqeverisjes lokale. Në rrethana të tilla, është veçanërisht e rëndësishme që të funksionojnë plotësisht të gjitha shërbimet që u ofrohen qytetarëve nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, mbi të gjitha, veprimtaritë e karakterit publik komunal, shërbimet shëndetësore dhe sociale, të cilat janë të nevojshme në kushtet e një epidemie”, u shpreh Angellovi.
Për Bekim Maksutin, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Shpëtimit, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa vendosjen e sistem efektiv dhe efikas të parandalimit nga katastrofat. Ai u shpreh i bindur se qasja e koordinuar drejt uljes së rreziqeve nga katastrofa përmes praktikave dhe hapave të harmonizuar është investimi më i rëndësishëm në interesin e qytetarëve. DMSH-ja, informon mes tjerash, se po punon në mënyrë aktive në uljen e rreziqeve nga katastrofat në nivelin lokal, ndërsa po vendos edhe një model për mbrojtje dhe shpëtim që bazohet në të gjitha nivelet.
“Parandalimi kërkon përgjegjësi, me ç’rast përkushtimi individual dhe institucional, si dhe respektimi i përgjegjësisë së përbashkët, është thelbësor për uljen e rreziqeve nga katastrofa”, u shpreh Maksuti.
Qëllimi i kësaj konference është të nxisë diskutim për sistemin e menaxhimit të krizave, mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë të organeve në nivel kombëtar dhe lokal, si dhe paraqitjen e procesit të përpilimit të planeve strategjike lokale për të ulur rreziqet nga fatkeqësitë dhe katastrofat në tetë njësi të zgjedhura të vetëqeverisjes lokale.
Konferenca është në kuadër të projektit “Kapacitet i përmirësuar i menaxhimit të krizave të komunave në Maqedoninë e Veriut” që Instituti për Demokraci e zbaton me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, përmes Ambasadës britanike në Shkup. Projekti synon të forcojë menaxhimin strategjik të krizave në tetë komuna të zgjedhura dhe të përshkruajë procesin e zhvillimit të planeve strategjike lokale për uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë dhe katastrofat.