Bullgaria e mban peng të ardhmen politike të Maqedonisë së Veriut me kërkesa pa precedent dhe e keqpërdor BE-në dhe rregullat juridike ndërkombëtare, vlerëson organizata joqeveritare gjermane “Xhëst akses” në analizën e quajtur “Qasje e mohuar në BE dhe drejtësi: Si veprimet e Bullgarisë drejtë Maqedonisë së Veriut përfaqësojnë keqpërdorim të rregullave procedurale për anëtarësim në BE”.
Siç transmeton Dojçe Vele në gjuhën maqedonase, kjo organizatë joqeveritare, e cila është e specializuar për konteste ndërkombëtare juridike dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut, thekson se taktika bullgare e “lëkundjes së dorës” filloi në vitin 2019, kur nisi të bëjë presion të ashpër në kuadër të institucioneve të BE-së në bazë të thënieve të dyshimta dhe të instrumentalizuara kulturore dhe historike kundër Maqedonisë së Veriut.
“Siç qëndrojnë punët, kjo jo vetëm që përfaqëson kërcenim për destabilizim të gjithë rajonit, por edhe i rëndon marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe Unionit”, theksohet në analizë, në të cilën theksohet se qëllimi i tekstit është që t’i zbardhë hapat kryesorë të cilat e karakterizojnë marrëdhënien pozitive të vendit me Unionin dhe të dëshmojë se si “qëndrimi ndërkombëtar i Bullgarisë drejtë fqinjit të saj është keqpërdorim sipas të drejtës ndërkombëtare në kontekst të zgjerimit të BE-së”.
Sipas “Xhëst akses”, bisedimet mes të dyja vendeve nuk duhet të lejojnë qëndrimi agresiv dhe jokorrekt i “Bullgarisë drejtë fqinjit të saj të mbetet i pavërejtur, sepse instrumentalizimi i saj i drejtësisë së BE-së dhe argumentet ofenduese në lidhje me kulturën dhe identitetin, ndikojnë negativisht në sundimin e drejtësisë në Evropë”.
“Kundërshtimi i vazhdueshëm dhe i instrumentalizuar i Bullgarisë që t’i lejohet Maqedonisë së Veriut që ta bëjë hapin e ardhshëm për hyrje në BE i intereson gjithë Unionit, jo vetëm Bullgarisë. Deri më tani duket sikur Bullgarisë i është dhënë e drejta që ta dëmtojë qëllimin politik të fqinjit të saj, duke i keqpërdorur të drejtat e saj dhe procedurat e ndërlikuara të cilat zbatohen për zgjerimin e BE-së. Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut hasi në pengesa në rrugën drejtë BE-së edhe krahas përpjekjeve të cilat ishin përshëndetur nga shumica e institucioneve dhe vendeve anëtare të Unionit”, shtohet në analizë.
Sipas autorëve të tekstit, taktika bullgare jo vetëm që dëmton politikën evropiane, duke hapur derën e “rrëshqitjes së mëtejshme” të Ballkanit Perëndimor në orbitën e fuqive të tjera të mëdha, por gjithashtu dëmton vetë idenë e sundimit të ligjit në niveli evropian.
“Sjellja e Bullgarisë duket se bazohet në një koktej të dyshimtë të instrumentalizimit politik, kulturor dhe juridik. Është e mundshme që kjo situatë do të lërë ndikim negativ të përhershëm mbi popullin maqedonas dhe rajonin, nëse nuk bëhet asgjë në lidhje me këtë çështje”, thuhet në tekst.
Organizata joqeveritare gjermane konsideron se Bullgaria po abuzon me rregullat ligjore të BE-së dhe ato ndërkombëtare pa argumente të vërteta ligjore, kështu që pa çështje gjyqësore, këto shkelje me siguri nuk do të shkaktojnë pasoja ligjore në këtë fazë.
“Maqedonia e Veriut mund ose duhet të mendojë për ngritje të këtij “kontesti” para një gjykate apo organi ndërkombëtar, veçanërisht sepse është në fuqi Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë, e cila shkelet paturpësisht nga qëndrimi ofendues i Bullgarisë ndaj fqinjit të saj. Megjithatë, një veprim i tillë është politikisht delikat për momentin, pasi kjo me siguri do të nxisë frikën se procesi i pranimit të vendit në BE do të ngecë edhe më gjatë. Ky është një manifestim i qartë i një fushate të suksesshme për shantazh që Bullgaria po bën kundër fqinjit të saj Maqedonia e Veriut, duke përfituar plotësisht nga pozicioni i saj relativisht i privilegjuar si vend anëtar i BE-së”, thuhet mes tjerash në analizën pjesë të së cilës transmeton DV.