Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani vizitën e punës në Mbretërinë e Spanjës e filloi me takim me Maria Aurora Mejia, Drejtorе për BE dhe këshilltarе е kryeministrit Sançez.
Temë qendrore në takim ishte dosja evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbështetja e Madridit për integrimet evropiane të vendit.
Siç kumtoi MPJ-ja, Osmani i prezantoi aktualitetet e fundit të lidhura me përparimin e reformave në vend, me theks të veçantë aktivitetet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në tavolinë janë vendosur raportet rajonale dhe bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus të posaçëm në politikat e fqinjësisë së mirë.
Përskaj dosjes evropiane, bashkëbiseduesit biseduan edhe për mundësitë për thellimin e raporteve ekonomike, mbështetja e ndërsjellë në organizatat multilaterale dhe bashkëpunimi sektorial mes dy vendeve, ndërsa u diskutua edhe për kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në gjatë vitit 2023.
Osmani gjatë vizitës së Punës në Spanjë u takua edhe me Zurab Pololikashvili, Sekretar i Përgjithshëm Organizatës Botërore Turistike, ku temë qendrore ishin pasojat nga pandemia Kovid-19 mbi këtë industri, si dhe projeksionet për kushtet dhe dinamikën për normalizimin në këtë sektor.
Gjatë ditës, vijon takimi qendror i Osmanit me nikoqirin e tij, Ministren e Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit të Mbretërisë së Spanjës, zonja Arança Gonzalez Laja, si dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Senat, Antonio Gutierrez Limones.