Përmes aplikacionit për regjistrim deri sot në orën 08:00 janë evidentuar 64.176 persona nga diaspora.
Regjistrimi i personave të cilët janë në vendet e huaja filloi më 1 mars. Përmes aplikacionit regjistrohen shtetasit e Maqedonisë të cilët qëndrojnë në vendet e huaja, për shkak të punës ose për arsye tjera, madje edhe më gjatë se 12 muaj, ndërsa regjistrimi do të zhvillohet deri më 21 prill të vitit 2021.
Nga 1 marsi regjistrohen edhe të punësuarit në përfaqësitë konsullare-diplomatike dhe anëtarët e familjeve të tyre të cilët qëndrojnë me to në vendet e huaja, shtetasit e Maqedonisë në punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tyre, përfaqësitë ose përfaqësuesit e odave ekonomike në vendet e huaja, njësitë afariste në vendet e huaja, përfaqësues ushtarak të Armatës të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendet e huaja dhe qytetarët që janë angazhuar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, teknik dhe tjetër, si dhe anëtarët e familjeve të tyre/ amvisëritë që qëndrojnë në vendet e huaja me personat e përmendur si dhe të gjithë personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët banojnë jashtë vendit për çfarëdo arsye, pa marrë parasysh gjatësinë e qëndrimit të tyre. Regjistrimi i këtyre shtetasve të Maqedonisë zbatohet 15 ditë dhe sot është dita e fundit.
Në konferencën për shtyp sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani do të informojë për zbatimin e regjistrimit deri tani.
Osmani të shtunën në një video fjalim në “Fejsbuk” theksoi se aplikacioni është shumë i lehtë dhe Ministria e Punëve të Jashtme është veçanërisht e angazhuar në këtë proces, gjegjësisht ka hapur linja të veçanta të telefonit të pajisura me aplikacionet më moderne digjitale uatsap/vajber për t’u mundësuar çdo qytetari kudo që jetojnë në planet mund të paraqiten për informacione . Informacionet janë të qasshme edhe në ueb faqen e MPJ-së dhe në ueb faqet e ambasadave.
Në video fjalim Osmani porositi se të dhënat e sakta do të hapin mundësi të reja për shtetin, për diasporën dhe për MPJ-në, ndërsa sigurohen edhe politika për tërheqje të qytetarëve për kthim në shtet.
Edhe kryeministri Zoran Zaev dje i bëri thirrje diasporës të përfshihet në procesin e regjistrimit që të mund të merret pasqyrë e saktë e numrit të mërgimtarëve dhe të krijohen strategji dhe politika për zvogëlimin e valës migruese dhe për sigurimin e lidhjeve të përhershme të shtetit me diasporën.
Regjistrimi i popullatës në vend do të zbatohet nga data 1 deri më 21 prill të vitit 2021.