Në seancën e sotme të Qeverisë është miratuar vendim për ndalesën e lëvizjes së popullatës dhe automjeteve të transportit publik në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga 22:00 deri në 05:00 ditën tjetër, duke filluar nga 10 mars 2021 (e mërkurë) deri më 22 mars 2021 (e hënë). Vendimi për ndalesën e lëvizjes nuk vlen për pasagjerët që mbërrijnë ose largohen nga aeroportet ndërkombëtare, të cilëve gjatë orës policore si leje për lëvizje do t’u njihen biletat e aeroplanëve. Ky koncesion është i njëjtë për pasagjerët në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, shpjegoi në profilin e tij në FB Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Për transportuesit e personave dhe mallrave që transportin e realizojnë gjatë ndalesës së lëvizjes, si leje do të pranohet urdhri i udhëtimit, ndërsa transportuesit në tranzit do të jenë të detyruar të largohen nga vendi nga një vendkalim kufitar në tjetrin brenda një maksimumi prej 3 orësh.
Shërbimet kompetente në vendkalimet kufitare do t’i lëshojnë udhëtarët që me automjete personale janë larguar para vendosjes së orës policore, me ç’rast do të realizohen edhe masat deri më tani aktive për test PCR të detyrueshëm për ata që vijnë nga ato vende për të cilat kjo procedurë është e detyrueshme, shpjegoi Spasovski.
Me përfundimin e kësaj seance të Qeverisë, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, është e detyruar të publikojë kumtesë me të cilën i informon qytetarët dhe operatorët ekonomikë se rinovohet vlefshmëria e lejeve tashmë të lëshuara gjatë vendimeve të mëparshme për ndalesën e lëvizjes.
“Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës do t’ua lëshojë vendimet për lëvizje të lirë atyre që ndërkohë i kanë humbur lejet e tyre, si dhe për ata që kanë kërkesa shtesë për leje për lëvizje bazuar në provën për domosdoshmërinë e kësaj kërkese.
Lëshime nga ndalesa do të ketë edhe për të gjithë qytetarët të cilët gjatë ndalesës së lëvizjes kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor dhe për lëvizjen e lirë këtë nevojë do të duhet ta paralajmërojnë në shërbimin 192 në telefonin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përjashtime shtesë në lidhje me ndalesën dhe regjimin e veçantë të lëvizjes së popullsisë dhe automjeteve, nëse është e nevojshme, do të përcaktohen nga Shtabi i Përgjithshëm i Koordinimit të Krizave për të siguruar koordinimin e plotë në lidhje me parandalimin e futjes dhe përhapjes së koronavirus KOVID-19, në bashkëpunim me autoritetet kompetente të administratës shtetërore”, njoftoi Ministri Spasovski.
Me këtë vendim të Qeverisë janë përfshirë edhe të gjithë personat fizikë vendas dhe të huaj, udhëtarë nga vendet e kontinentit Afrikan, të cilët hyjnë në pikat kufitare në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, detyrimisht do të referohen në izolim shtëpiak 14-ditor (karantinë).
Për të gjitha llojet e udhëtimeve në grupe ose individuale, udhëtarët nga vendet afrikane që tranzitojnë përmes territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të jetë e detyrueshme të nënshkruajnë Deklaratë për tranzit, ka shkruar shkroi Spasovski në profilin e tij në FB.