Këtë muaj në vend do të arrijnë vaksinat e kompanisë “Fajzer”, me të cilën sipas ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, do të fillojë edhe imunizimi i popullatës kundër koronavirusit. Paralajmërimi për fillim të imunizimit vjen në kushte kur javën e kaluar në vend shënohet rritje e numrit të personave të sapoinfektuar me Kovid-19, për 56,4 për qind edhe kur kapaciteti i Klinikës Infektive është mbushur, për shkak të së cilës në funksion sërish vendoset spitali modular në Qendrën Klinike.
Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se vaksinat e para nga “Fajzer” sipas marrëveshjes me kompaninë, duhet të arrijnë në vend në kuartalin e parë të këtij viti, gjegjësisht deri në fund të marsit. Përmes të gjitha mekanizmave ekzistues, siç tha kryeministri, është bërë gjithçka që është e domosdoshme dhe janë bërë marrëveshje për sasi të tërësishme deri në 2,5 milion vaksina.
Ai porositi se të gjithë duhet të vaksinohen në shtet, të ndiqen udhëzimet e MSH-së, të Komisionit për Sëmundje Infektuese, e të gjithë ekspertëve sepse thotë, vetëm në atë mënyrë do ta mposhtim pandeminë e Kovid-19.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe mbrëmë në intervistë për RTVM deklaroi se gjatë këtij muaji me siguri do të fillojë imunizimi i popullatës në vend.
Ai potencoi se nevojitet 60-70 për qind e popullatës të vaksinohet që të arrihet imunitet kolektiv.
Ministri i Shëndetësisë në lidhje me atë se si do të jetë efikasiteti i vaksinave për llojet e reja të koronavirusit, tha se tani kompanitë analizojnë dhe shikojnë dhe se nuk ka vërtetim me sigurim se si do të jetë efikasiteti i vaksinave për llojet e reja.
Ministri i Shëndetësisë theksoi se në disa punë thjeshtë nuk kanë mundur dhe nuk mund të ndikojnë, ndërsa arsyeja, siç tha, është shumë e qartë.
“Nuk ka vaksina të mjaftueshme për momentin gjithkund në botë, nuk arrijnë as me dinamikën e nevojshme as të dëshiruar nga ana e ndonjë vendi. Pasqyra do të jetë në mënyrë drastike më ndryshe në kuartalin e dytë sepse dukshëm do të rriten edhe të gjitha kapacitetet prodhuese”, deklaroi Filipçe.
Sipas ministres, kompania e parë e cila do të dërgojë vaksina përmes mekanizmit Kovaks është “AstraZeneka”.
Paraprakisht, Ministri i Shëndetësisë informon se kompania prodhuese e vaksinës kundër Kovid-19 “Fajzer-Biontek” dje ua ka dërguar marrëveshjen për blerje të vaksinave. Kompania në marrëveshje i kumtoi detajet për dërgesë të vaksinave gjatë vitit 2021.
Prodhuesi “Fajzer-Biontek” në vitin 2021 Republikës së Maqedonisë së Veriut do t’i dërgojë 800.280 doza vaksina. Sipas marrëveshjes, dërgesa e vaksinave do të zhvillohet në katër tremujorë, ndërsa dërgesa e parë do të ndodh në muajin mars. Në marrëveshje thuhet se kompania “Fajzer-Biontek” këtë muaj në vendin tonë do të dërgojë 21.060 doza vaksina.
Vaksinat e prodhuesit “Fajzer-Biontek” janë paketuar në shishe me më shumë doza, nga një shishe nxjerren 6 doza të vaksinave. Vaksina ruhet dhe shpërndahet në -70 gradë Celsius, në frigorifer të zakonshëm prej 2 deri 8 gradë mund të qëndrojë pesë ditë, ndërsa e tretur të ruhet 6 orë. Sistemi i jonë shëndetësor është tërësisht i gatshëm për pranim dhe zbatim të vaksinimit. Me vaksinën e prodhuesit “Fajzer-Biontek”, tani disa javë po bëhet imunizimi i punonjësve shëndetësorë, të cilët janë në grupin e parë prioritar për vaksinim, në pajtim me Strategjinë kombëtare për kovid-imunizim.
Sipas të dhënave të djeshme të Institutit për Shëndet Publik, në 24 orët paraprake janë regjistruar 721 raste të reja të Kovid-19, kanë vdekur nëntë persona dhe janë regjistruar 1.753 pacientë të shëruar.
Deri më tani, në vend janë kryer gjithsej 533.505 teste të Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 105.269, numri i pacientëve të shëruar është 93.942, numri i vdekjeve është 3.165 dhe numri i rasteve aktive është 8.162.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe mbrëmë ka informuar se kapaciteti i klinikës infektive është mbushur dhe se vihet në funksion spitali modular në Qendrën Klinike.
Ai potencoi se vaksinimi prej nesër do të transferohet në Shtëpinë Shëndetësore në Shkup, ku do të shfrytëzohet pika vaksinuese e atjeshme.
Sipas Filipçes, gjatë fundjavës, duke e përfshirë edhe ditën e hënë dhe të martë, mbetet të shikojmë nëse ky numër i rritur i pacientëve do të jetë trend dhe do të rritet edhe më tutje.