Fondi Evropian për Ballkanin kërkon zgjidhje urgjente për problemin kronik të ndotjes së ajrit që po i mbytë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Fushata ‘Ballkan i bashkuar për ajër të pastër’ u bën thirrje qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen në luftën tonë dhe së bashku ta përmirësojmë cilësinë e ajrit, në të njëjtën kohë duke u ballafaquar me infertilitetin dhe duke e përmirësuar shëndetin e fëmijëve”, qëndron në kumtesën e Fondit Evropian për Ballkanin.
Përjashtimi i thëngjillit nga prodhimi i energjisë elektrike, sipas tyre, është masa më e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Zëvendësimi i pajisjeve të ngrohjes dhe gatimit në amviseritë me zgjidhje ekologjike më të pastra, panele diellore në çatitë e shtëpive dhe ndërtesave dhe projekte që synojnë përmirësimin e efikasitetit të energjisë gjithashtu mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Institucionet e duhura duhet të zhvillojnë politika për promovim të një shtatzënie të shëndetshme në mënyrë që t’i edukojnë gratë dhe burrat për rreziqet nga ndotja gjatë shtatzënisë, dhe për t’i pajisur nënat e ardhshme për ta mbrojtur veten dhe fetusin e tyre. Duhet të sigurohet filtrim shumë i efektshëm i ajrit në hapësirat e brendshme publike dhe qytetarët duhet të informohen në kohë në lidhje me ndotjen e ajrit në mënyrë që t’i shmangin aktivitetet në hapësirë të hapur gjatë periudhave me cilësi të dobët të ajrit”, theksojnë në kumtesë.
Një nga masat për t’i zbutur efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit, siç theksojnë, është zvogëlimi i përdorimit të plastikës për një përdorim, veçanërisht paketime që nuk reciklohen. Një masë tjetër është zëvendësimi i fibrave sintetike me fibra natyrore. Përmes kësaj, shtojnë, parandalohet, emetimi dhe gëlltitja e mikro dhe nanoplastikës.
Ndotja e ajrit, theksojnë, është ndër arsyet kryesore për rritjen e shkallës së infertilitetit dhe sterilitetit midis grave dhe burrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Veçanërisht vuajnë gratë që jetojnë në zona të goditura rëndë, pasi ndotja mund të çojë në më pak vezë të shëndetshme, ndërsa me këtë edhe ulje e infertilitetit.