Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska dhe Kryetari i Komunës Gjorçe Petrov, Aleksandar Naumoski sot i inspektuan punimet ndërtimore për rindërtimin e shkollës fillore “Dimitar Pop Georgiev – Berovski” në Hrom.
“Me të vërtetë është e rëndësishme, që komunat, së bashku me Qeverinë dhe ministritë, jo vetëm që kujdesen për programe më të mira, arsim më të mirë, por edhe investohet në infrastrukturë. Për të pasur një arsim cilësor, duhet të keni një staf cilësor, për të cilin kujdesemi ne, dhe përpiqemi të investojmë vazhdimisht në trajnimin e tij. Koncepti i ri nënkupton edhe standard të ri dhe një cilësi të re në arsim, por, gjithashtu, edhe infrastruktura në të cilën zhvillohet mësimdhënia duhet të jetë më e mirë”, tha ministrja Carovska.
Ajo tha se vitin e kaluar Ministria e Arsimit dhe Shkencës për herë të parë ka shpallur thirrje për investime kapitale dhe në këtë mënyrë i motivoi komunat të aplikojnë për projekte.
“Ministria, përmes një procesi transparent, i selektoi komunat ku do të ketë investime, sipas kornizës, përkatësisht buxhetit specifik, të cilin e kemi për këtë vit. Gjithashtu, të gjitha shkollat e financuara nga buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të jenë gjithëpërfshirëse. Kështu është edhe kjo shkollë. Me investime prej 25 milionë, që kemi për këtë objekt, të gjithë nxënësit, do të mund nga kjo pjesë e komunës Gjorçe Petrov, ta vizitojnë dhe të kenë mësimdhënie cilësore”, tha Carovska, duke shfaqur shpresë se investimi do të përfundojë shumë shpejt.
Kryetari i komunës Gjorçe Petrov, Aleksandar Naumoski, shpjegoi se bëhet fjalë për ndërtim shtesë të shkollës fillore, e cila në vitin 2016, u lëshua përmes një ndërtese të adaptuar nga Ministria e Mbrojtjes.
“Bëhet fjalë për gjashtë klasa të reja, tualete për njerëzit me nevoja të veçanta, me qasje horizontale, me rampa, dhe për herë të parë në komunën tonë kemi qasje vertikale, përkatësisht ashensor. Dinamika e realizimit të aktiviteteve është rreth 20 muaj. Megjithatë, shpresojmë se shkolla do të përfundojë para afateve”, deklaroi Naumoski.
Ai theksoi se komuna është përballur me shumë probleme në lidhje me pronën dhe marrëdhëniet juridike, të cilat duhej t’i zgjidhte, jo vetëm për shkollën, por edhe ndërtimin shtesë të kopshtit “Rosica”, i cili ndodhet përballë saj.