Donacioni amerikan prej 1269 pushkë automatike M-4, me vlerë 1.2 milionë dollarë amerikanë, sot iu dorëzua Armatës sonë, për mbështetje të zhvillimit të grupit të batalionit të këmbësorisë së lehtë.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila e pranoi donacionin nga ambasadorja e SHBA-së në vend, Kejt Mari Bërnz në kazermën në Gjorçe Petrov, theksoi se bëhet fjalë për një pjesë të një projekti më të madh të financuar nga qeveria e SHBA-së i cili e ndihmon modernizimin dhe pajisjet e forcave tona ushtarake.
“Me këtë pjesë të pajisjes, ne i sigurojmë mbi 1200 pushkë automatike M-4, me kalibër 5.56, që është standard i vendeve anëtare të NATO-s dhe e vazhdon shndërrimin tonë nga standardi i vjetër në standardin e ri. Me këtë pajisje shtesë, përveç forcave speciale, të cilat edhe deri më tani kanë marrë pushkë të këtij lloji, do të siguroj pajisjen e plotë të këmbësorisë sonë të lehtë, e cila nuk është vetëm një njësi e Maqedonisë, por tashmë është edhe njësi e NATO-s dhe të cilën jemi duke e përgatitur për vlerësimin e parë të NATO-s në vitin 2022”, tha Shekerinska, duke theksuar se kjo është pjesë e pajisjeve që marrim, ndërsa numri i përgjithshëm i këtyre pushkëve automatike është mbi dy mijë, shtesë me pajisjet mbrojtëse të siguruara për ushtarët.
Theksoi se ky donacion tregon se sa i gjerë dhe serioz është bashkëpunimi i mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se në një periudhë prej vetëm një jave, ata ishin të pranishëm së bashku në investimet e përbashkëta në poligonin ushtarak Krivollak, ndërsa këtë javë u nënshkrua Memorandum për mirëkuptim në fushën e bashkëpunimit në mbrojtje.
Ambasadorja amerikane, Kejt Mari Bërnz deklaroi se me këtë donacion dëshmohet gjerësia e bashkëpunimit amerikan dhe se SHBA-ja do të vazhdojë të jenë partner strategjik në aktivitetet për modernizimin e Armatës së Maqedonisë.
“Ky është edhe një shembull se si punojmë së bashku, që të sigurohemi se forcat tona kur luftojnë së bashku dhe kur stërviten së bashku do të jenë të ndërveprueshme, ndërsa këto pushkë do ta përforcojnë ndërveprimin jo vetëm me SHBA-në por edhe me forcat e tjera të NATO-s. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme dhe me shumë ndikim për aktivitetet e mëtejshme. Kjo është një provë tjetër e bashkëpunimit tonë të gjatë për mbrojtjen që u përforcua edhe më tej me nënshkrimin e Memorandumit për mirëkuptim javën e kaluar, por kjo është gjithashtu një provë e obligimit të vendit tuaj për ta modernizuar Armatën e Maqedonisë. Ky është një angazhim që Armata juaj të jetë jo vetëm e përgatitur dhe aktive, si aleate më e re e NATO-s, por gjithashtu të jetë e pozicionuar mirë për të kontribuar së bashku me forcat tona”, tha Bërnz.
I gjithë projekti duhet të përfundojë deri në vitin 2022 dhe, siç tha Ministrja Shekerinska, ai përfshin pajisje shtesë ushtarake, të tilla si mitraloza, granatahedhës, si dhe pajisje dhe elementë mbrojtëse të dobishme për ushtarët dhe eprorët. Tha se edhe një pjesë e madhe e armëve për një kohë të gjatë transiton sipas standardeve të NATO-s dhe është nga prodhimi perëndimor, konversimi i kalibrit në një standard të ri, tha, sjell edhe konservim në pjesën e armatimit.
Shekerinska deklaroi se edhe nuk është duke u pritur vetëm për donacione për armatën, duke theksuar se këtë vit, për herë të parë, është siguruar rritje në buxhetin e mbrojtjes dhe në përqindjen për pajisjet dhe modernizimin.
“Për herë të parë si vend ne jemi duke e përmbushur pjesën e dytë të detyrimeve tona të NATO-s me mbi 20 për qind – këtë vit kemi siguruar 25 për qind, për të shkuar drejt modernizimit dhe sigurimit të pajisjeve. Kjo e tregon rëndësinë e aleancës – ne si aleat kemi ndërmarrë obligime dhe po i përmbushim ato, tashmë e kemi filluar modernizimin edhe me projektet e mëdha, të tilla si automjete të lehta të blinduara, të cilat vijnë nga SHBA-ja. Ne jemi vazhdimisht dëshmitarë të mbështetjes, si financiare ashtu edhe në pajisje, nga SHBA-ja”, tha Shekerinska, duke falënderuar ambasadën e SHBA-së dhe Zyrën e tyre për bashkëpunim në mbrojtje.