Prokurorja Lençe Ristovska, si një prej përfaqësuesve të aktakuzës në rastin “Target-Fortresa”, kërkoi paraburgim efektiv, në vend të arrestit shtëpiak i cili tani është në fuqi për ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijalkov, të cilit sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup iu shqiptua dënimi me burg prej 12 viteve për këtë lëndë që ka të bëjë për përgjime masive dhe shkatërrim të pajisjeve nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).
“Gjatë ditës së djeshme, u morën njoftime nga MPB-ja dhe Byroja për Siguri Publike, në pajtim me të cilat ata nuk posedojnë pajisje teknike dhe mundësi për video mbikëqyrje 24-orëshe mbi Mijalkovin. Për më tepër, përmes Europol u konfirmua që Mijalkov ka një leje qëndrimi në Pragë dhe dy automjete të regjistruara në emrin e tij. Ai është gjithashtu i pozicionuar mirë, ka ndërmarrjet e tij dhe kompanitë kanë anëtarë të familjes së tij. Për shkak të kësaj, ai mund të lejojë të jetojë mjaft i qetë në arrati”, tha Ristoska.
Mijalkovi u dërgua në Gjykatën Penale sot nga arresti shtëpiak, që ia caktoi gjykata si masë të kujdesit.
Në këtë lëndë akuzohen edhe ish-shefi i Drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujevski dhe i punësuari DSK-së, Nikolla Boshkoski, të cilët janë në arrati në Greqi, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ish-shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski, Vladimir Varelov nga DSK-ja dhe pesë persona të tjerë nga kjo Drejtori.
Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, në mënyrë të paligjshme janë ndjekur 4,286 numra telefoni për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësorë. Përgjimet në mënyrë direkte dhe indirekte kanë përfshirë rreth 20 mijë qytetarë.
Gjykimi për “Target-Fortesa” filloi më 22 dhjetor të vitit 2017. Përfaqësues të aktakuzës janë Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov.