Ish drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Sasho Mijallkov ka marrë dënim me burg prej 12 vitesh për lëndën “Target- Fortesa” e cila ka të bëjë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjes nga DSK.
Mijallkovi akuzohet se ka kryer vepër penale “shoqërim kriminal”, “keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare” dhe “marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor”.
Ish ministrja për Punë të Brendshme, Gordana Jankullovska është dënuar me katër vite burg.
Aktvendimin e ka shqiptuar Trupi gjykues në përbërje Xheneta Bektoviq si gjykatëse e parë, Vlladimir Tyfekxhiq si i gjykatës i dytë dhe tre gjykatës porotë.
Gjykatësi Tyfekxhiq në shpjegimin e aktvendimit ka thënë se përgjimi masiv dhe viktimat e tregojnë nevojën e vetë përgjimit, e ajo është të vihet kontroll i plotë i sistemit shoqëror, ekonomik dhe politik.
“Peshë të veçantë në krejt përgjimin është shkatërrimi i pajisjes, pas publikimit të përgjimit masiv. Pajisja është shkatërruar me paramendim dhe me këtë janë shkatërruar provat e veprës”, ka thënë Tyfekxhiq.
Kjo procedurë penale ka thënë ai ka rëndësi të madhe për sistemin në tërësi dhe duhet të shërbejë si vërejtje për organet si DSK të mos përsëriten ndodhi të këtilla në të ardhmen.
Në këtë rast gjyqësor të akuzuar janë ish shefi i Drejtorisë së Pestë të MPB-së, Goran Grujevski dhe punonjësi i DSK-së, Nikola Boshkoski, të cilët janë në arrati në Greqi, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, ish-shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, Vladimir Varelov nga DSK-ja dhe pesë persona të tjerë nga kjo Drejtori.
Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për monitorimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, ishin monitoruar në mënyrë të paligjshme 4,286 numra telefoni për të cilët nuk ishte lëshuar asnjë urdhër gjykate. Përgjimet në mënyrë direkte dhe indirekte kanë përfshirë rreth 20 mijë qytetarë.
Seanca gjyqësore për “Target – Fortesë” filloi më 22 dhjetor të viti 2017. Procesi gjyqësor drejtohet nga gjyqtarja Xheneta Bektoviq dhe përfaqësuesit e prokurorisë janë Lençe Ristovska dhe Trajçe Pelivanov.