Ministria e Punëve të Brendshme shpalli urdhërarrest ndërkombëtar për ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov, i cili nga e diela është i pakapshëm për policinë. Kjo hapi shumë dilema dhe shkaktoi reagime nga shumë palë, si dhe kërkesa për përgjegjësi dhe hetim për parregullsi nga institucionet kompetente.
Presidenti, Stevo Pendarovski, dje u bëri thirrje institucioneve kompetente që sa më shpejtë që është e mundur të fillojnë hetim për zbardhje të plotë të rastit dhe nëse konstatohen çfarëdo lloj parregullsish nga ana e institucioneve kompetente të ndërmerret përgjegjësia.
“Ngjarjet e këtilla janë të papranueshme për vendin i cili pret të fillojë negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe u cili punon shumë në reformimin e sistemit gjyqësor dhe ndërtimit të besimit në shtetin ligjor. Kjo i diskrediton përpjekjet dhe shpresat për përballje me krimin dhe korrupsioni e lartë”, potencoi presidenti Pendarovski.
Kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas dëshmimit në rastin “Titanik”, dje tha se është i zhgënjyer që Sasho Mijallkovi ende nuk është gjetur dhe nuk është dërguar në arrest shtëpiak, por se pret hollësi nga të gjitha institucionet kompetente për këtë rast dhe nëse diku janë konstatuar lëshime do të kërkohet përgjegjësi.
“Pres informacion të detajuar dhe hetim të rastit nga gjykata, zyra e prokurorit publik dhe MPB-ja. Populli ynë pret zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe marrjen e përgjegjësisë nëse vendimi gjyqësor për paraburgimin e personit që pritet të dënohet për një nga rastet më të rëndësishme në Republikën e Maqedonisë të Veriut dhe kjo është zgjidhja përmes aktvendimit të Gjykatës Themelore për rastin e përgjimit ose të ashtuquajturën ‘Target-Fortesa’“, tha kryeministri Zaev, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pasi dëshmoi në rastin “Titanik”.
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickovski kërkoi dorëheqje nga Qeveria, pas lajmit se policia nuk ka mundur ta gjente ish-drejtorin e DSK-së, ndërsa nënkryetari i partisë Aleksandar Nikollovski, dje i dha 24 orë Qeverisë që ta sigurojë Sasho Mijallkovin.
“Oliver Spasovski hesht, Radmilla Shekerinska nuk është askund, ndërsa Zoran Zaev ndjen keqardhje dhe nuk e mban fajin. Kanë 24 orë për ta siguruar të arratisurin nga drejtësia. Sepse gjithçka që folëm në vitet e fundit, ndërsa edhe atë që e flasim sot konfirmohet, ndërsa kjo është se me Maqedoninë qeveris koalicioni kriminel, i cili i prish vlerat themelore, sistemin e qeverisjes të së drejtës, jetesën normale në Maqedoni, e cila ndikon mbi bizneset dhe të njëjtat i ndërmerr. Me Maqedoninë qeveris krimi – koalicioni. Dhe për atë presim në 24 orët e fundit ta sigurojnë të arratisurin nga drejtësia”, tha Nikollovski.
Për arratisjen e Sasho Mijallkovit, reagoi edhe Departamenti amerikan i Shtetit, zëdhënësi i të cilit për Zërin e Amerikës, dje tha se janë të vetëdijshëm për këto raporte dhe se e ndjekin situatën nga afër.
Për atë se pse Prokuroria nuk ka kërkuar arrestim të premten, pas përfundimit të seancës gjyqësore për “Target – Fortesa”, shefja e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska mbrëmë, tha se ekzistojnë dy shkaqe.
“E para është se nuk kemi pasur mundësi ligjore, pasi i akuzuari Sasho Mijallkov i ka respektuar masat preventive të shqiptuara nga gjykata dhe rregullisht paraqitej në të gjitha seancat. E dyta, arsye shumë më e rëndësishme është ajo se nëse në atë moment Prokuroria kërkonte paraburgim, mundej dhe do të interpretohej si prejudikim i aktvendimit”, ka thënë Ruskoska.
Ruskovska nuk deshi të spekulojë se ku është lëshimi, por hodhi poshtë çfarëdo lloj përgjegjësie të Prokurorisë. Theksoi se për të si prokurore dhe si njeri është e tmerrshme që arratisjet po përsëriten. Theksoi se të shtunën pas orës 12:30 në mesditë, pasi kishte marrë informacion operativ nga një burim i saj personal se ka mundësi për arratisjen e Mijallkovit, ka realizuar kontakt me ministrin e Punëve të Brendshme i cili i kishte thënë se do t’i kontrollojë të dhënat të cilat i ka marrë.
Ministria e Punëve të Brendshme dje pasdite shpalli urdhërarrest ndërkombëtar për Sasho Mijallkovin, ish-shefin e DSK-së, i cili prej dje është i pakapshëm, dhe policia nuk arriti t’ia dorëzojë vendimin për arrest shtëpiak, që si masë e kujdesit, në kërkesë të prokurorisë gjatë fundjavës e solli Gjykata Penale.
Ai është një nga të akuzuarit për përgjimet e paligjshme të mbi 20 mijë qytetarëve në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015. Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK, jashtëligjshëm ishin ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët aspak nuk ishin dhënë urdhra gjyqësorë.
Prokuroria në fjalët përfundimtare për rastin Target-Fortesa kërkoi dënim maksimal për Sasho Mijallkovin, ndërsa aktvendimi pritet të publikohet të premten, më 26 shkurt.