Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dje në orën 15:00, e dorëzoi në Gjykatën Themelore Penale në Shkup propozimin për përcaktimin e masës së arrestimit ndaj S.M, i akuzuar në lëndën KOK nr. 47/17 nga prokuroria, i njohur si rasti “Target-Fortesa”, për shkak të dyshimit për arratisje të mundshme, kumtoi Gjykata Themelore Penale në Shkup.
Siç thuhet në kumtesë, pasi u përcaktua se Këshilli Penal pranë Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion është kompetent të veprojë sipas propozimit, dhe duke pasur parasysh urgjencën e procedurës, megjithëse gjykata ligjërisht kishte 24 orë për të vendosur duke pasur parasysh që propozimi është dorëzuar gjatë fundjavës, këshilli në korrelacion me dokumentacionin për dyshimin e arratisjes të paraqitur nga prokuroria me një raport të bashkangjitur të paraqitur nga Byroja e Sigurisë Publike pranë MPB-së, menjëherë filloi veprimin dhe miratoi vendimet që urdhëronin të akuzuarin për arrest shtëpiak me mbikëqyrje 24 orëshe si dhe mbikëqyrje video dhe elektronike, ndërsa në ora 18:30 vendimi tashmë i ishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme si kompetente për veprime të mëtejshme.
Siç thonë nga gjykata, palët kanë të drejtë të apelojnë kundër këtij vendimi përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit të Shkupit në afat prej 24 orëve.
“Lidhur me të gjitha pyetjet e mediave, gjykata gjatë ditës së djeshme, duke pasur parasysh urgjencën e veprimit dhe duke respektuar kompetencat e prokurorit publik dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk komentoi në lidhje me spekulimet dhe informacionin e pakonfirmuar në lidhje me procedurën për të mos e dëmtuar atë, për të cilën kërkojmë mirëkuptim nga gazetarët”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore Penale në Shkup.