Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Dejvid van Vel, si Kryetar i Bordit për menaxhim me mbrojtjen kibernetike në NATO, nënshkruan Memorandum për mirëkuptim dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes kibernetike midis Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s, kumtoi MB.
Ky Memorandum për mirëkuptim ka për qëllim ta përmirësojë dhe avancojë bashkëpunimin dhe ndihmën në fushën e mbrojtjes kibernetike midis NATO-s dhe autoriteteve kombëtare për mbrojtje kibernetike.
“Siguria kibernetike është një fushë që ne e marrim shumë seriozisht. Memorandumi për bashkëpunim me NATO-n në fushën e mbrojtjes kibernetike, mundëson përgjigje të koordinuar të aleatëve në rast të një sulmi kibernetik dhe është një kontribut serioz në përforcimin e kapaciteteve kombëtare për ballafaqim me sulmet kibernetike, si dhe në përforcimin e rezistencës së Aleancës”, deklaroi Ministrja Shekerinska.
Ndihmës sekretari i përgjithshëm, Van Vel, theksoi se mbrojtja kibernetike është përparësi për NATO-n dhe aleatët e saj.
“Përforcimi i rezistencës ndaj kërcënimeve kibernetike në rritje është kritike, dhe ky Memorandum për bashkëpunim në mbrojtjen kibernetike që e nënshkruam me Maqedoninë e Veriut është një hap i rëndësishëm në atë drejtim”, tha Van Vel.
Memorandumi për mirëkuptim do ta lehtësojë shkëmbimin e informacioneve për kërcënimet kibernetike dhe praktikat më të mira, do ta përmirësojë parandalimin e incidenteve kibernetike dhe do të ndihmojë në rritjen e rezistencës së Maqedonisë së Veriut ndaj kërcënimeve kibernetike.
Gjithashtu, Memorandumi për mirëkuptim do ta lehtësojë mbështetjen e ndërsjellë të organeve përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike të NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut në rast nevoje.