Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi sot zhvilloi një takim pune me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovskën dhe ish ministrin dhe deputetin Arbër Ademi, ku diskutuan për koncepcionin e reformave në arsim dhe për Ligjin për librat shkollorë për arsim fillor dhe të mesëm.
Siç informoi Kabineti i Grubit, të tre bashkëbiseduesit gjithashtu u dakorduan se në pajtim me Ligjin për tekste shkollore për arsim fillor dhe të mesëm, të gjitha parregullsitë dhe padrejtësisë në të gjitha tekstet shkollore duhet të kontrollohen dhe korrigjohen, duke filluar menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të arsimit të mesëm.
Grubi, Carovska dhe Ademi, gjithashtu janë dakorduar se në rastin konkret, me librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me librat e tjerë, do të zbatohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollor.
“Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteveshkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, sqarojnë nga Kabineti i zëvendëskryeministrit të parë.
Prej atje informojnë se në takimin punues është dakorduar në periudhën që vijon të shqyrtohen të gjitha tekstet shkollore me qëllim që njëherë e mirë tu jepet fund këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto tekste shkollore.
“Në fund të këtij takimi, Grubi, Carovska dhe Ademi u dakorduan që bashkë të përkrahin reformat në arsim duke i cilësuar ato si një nga reformat më se të nevojshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, theksojnë nga Kabineti i Grubit.