Fushata “Ballkan i bashkuar për ajër të pastër” u bën thirrje qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen në luftën kundër ndotjes së ajrit, në mënyrë që së bashku ta përmirësojmë cilësinë e ajrit, ndërsa përmes kësaj ta vazhdojmë edhe jetëgjatësinë tonë.
Siç theksojnë organizatorët, cilësia e dobët e ajrit është një nga arsyet e rritjes së vdekshmërisë, jetëgjatësisë më të shkurtër dhe shpenzimeve më të larta shëndetësore të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor. Ndotja e ajrit e shkurton jetën tonë, ndërsa ndonjëherë edhe e merr jetën tonë; për shkak të pasojave të saj ne shkojmë më shpesh tek mjeku për t’u mjekuar nga sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes.
“Me fushatën “Ballkan i bashkuar për ajër të pastër”, kërkojmë që zvogëlimi i ndotjes së ajrit të përcaktohet si një përparësi kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dhe e integruar në të gjitha proceset e planifikimit. Ne besojmë se mjetet për kontrollimin e ndotjes së ajrit duhet të rriten dhe duhet të krijohen sisteme për ta monitoruar në mënyrë aktive ndotjen dhe efektet e saj në shëndetin publik. Me qëllim të përmirësimit të kontrollit të ndotjes dhe arritjes së një cilësie më të mirë të ajrit, është e nevojshme të krijohen partneritete multisektoriale në nivele lokale, kombëtare dhe rajonale. Parandalimi i sëmundjeve të shkaktuara nga cilësia e dobët e ajrit duhet të bëhet pjesë integrale e politikave mjedisore dhe shëndetësore”, theksohet në kumtesë.
Qendra e përbashkët kërkimore e Komisionit Evropian thekson se ndotja e ajrit në Ballkanin Perëndimor e shkurton jetëgjatësinë e qytetarëve me një mesatare prej 0.4 në 1.3 vjet. Sipas të dhënave nga OBSH, cilësia e dobët e ajrit në rajon para kohe merr deri në 13,500 jetë çdo vit. Në të njëjtën kohë, shpenzimet vjetore për mbrojtje shëndetësore të shkaktuara nga termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor vlerësohen në 1.2 miliardë deri në 3.4 miliardë euro.
Pasojat e ndotjes së ajrit kryesisht prekin qytetarët me status më të ulët socio-ekonomik, të cilët shpesh janë më të ekspozuar në atë, sepse ata jetojnë në zona me intensitet të lartë të trafikut dhe afër burimeve të ndotjes siç janë termocentralet dhe objektet industriale. Gjithashtu, kryesisht njerëzit e varfër janë ata që bëjnë punë të vështirë me ekspozim profesional ndaj gazrave, grimcave dhe metaleve të rënda. Kur përveç kësaj merren parasysh edhe ndryshimet klimatike, të cilat shkaktojnë ndotje shtesë, kushtet e tilla të jetesës rezultojnë në një jetëgjatësi më të shkurtër, e cila i prek veçanërisht të moshuarit dhe fëmijët nën moshën pesë vjeç”, qëndron në kumtesë.