Republika e Kosovës sot shënon trembëdhjetë vite nga shpallja e pavarësisë. Për nder të këtij përvjetori janë organizuar një sërë aktivitete nga institucionet e vendit.
Aktivitetet, siç njoftojnë mediat kosovare fillimisht nisin me ceremoninë e ngritjes së Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Më pas, në bazë të agjendës shtetërore te aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës mbahen homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, të varri i Presidentit Rugova si dhe tek varrezat e dëshmorëve nëpër komunat e Kosovës.
Manifestimi qendror për shënimin e Pavarësisë mbahet në Forcën e Sigurisë së Kosovës në të cilën do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës presidente Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti si dhe figura tjera publike.
Për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe Shoqata Miqtë e Amerikës do ta ndërrojë flamurin amerikan.
Në këtë mënyrë edhe një herë Shoqata Miqtë e Amerikës ka deklaruar se dëshiron ta potencoj faktin që sponzorues i formimit të shtetit të Kosovës është SHBA-ja dhe aleatët e saj andaj do ta respektojnë duke e vendosur një flamur të ri.
Të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.
Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.