Kryeministri Zoran Zaev sot në një konferencë për shtyp në Qeveri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në lidhje me faktin se VMRO-DPMNE-ja e pranon përkatësinë etnike në letërnjoftime, me kusht që mbiemri “e Veriut” të mos qëndroj në to, tha se përfundimisht duhet të mbështetet përcaktimi etnik sepse jemi shtet multietnik.
“E dini si është kjo, dua të bëj dashuri, por kurrsesi të mos e përqafoj partnerin. Kështu që, gjëra të tilla duhet patjetër të mbështeten, sepse jemi një vend multietnik. E di që ka debat, e ndjek, që mund të shkaktojë diskriminim ose jo. Ne asnjëherë as nuk jemi fshehur dhe as dikush është turpëruar nga identiteti i tij, përkundrazi, kemi qenë krenarë dhe si shoqëri multietnike të gjithë jemi krenarë për larminë tonë etnike, me këtë pasuri të larmisë kulturore dhe etnike, fetare për të cilat jemi të njohur dhe me të vërtetë jemi shembull edhe për bashkëjetesë dhe shumë vende të zhvilluara mund të mësojnë nga ne”, theksoi Zaev.
Lidhur me mbiemrin “e Veriut” që të mos qëndrojë në letërnjoftime, sepse afati për aplikimin e tij sipas Marrëveshjes së Prespës ende nuk kishte skaduar, Zaevi tha se Kushtetuta thotë se vendi ynë është Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Kushtetuta thotë se vendi ynë është Republika e Maqedonisë së Veriut. Apeloj që të mos kërkohen justifikime sepse kur parashtroni zgjidhje ligjore, nuk është vetëm Marrëveshja e Prespës, por ekziston edhe Kushtetuta”, tha kryeministri Zaev.