Gjithsej 9,7 miliardë denarë ose 160 milionë euro peshon pakoja e pestë e masave ekonomike antikrizë. Përmban 29 masa, të shpërndara në katër shtylla kryesore: ndihmë direkte financiare për kompanitë në turizëm, zejtari, hotelieri, transport, industrinë për organizimin e ngjarjeve me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës, ndihmë financiare për likuiditetin e sektorit privat me kredi pa interes me komponentë pa kthim, krijimin e rrethinës më të favorshme afariste me ridefinim sistemor të Tarifës Doganore, uljen e të dhënave parafiskale, lehtësime tatimore dhe shtyrjen te disa shpenzime publike, si dhe ndihmë direkte për qytetarët, njoftoi sot kryeministri Zoran Zaev.
Zaevi në konferencë për media në Qeveri theksoi se 91,7 milionë euro nga vlera e pakos janë shpenzime direkte buxhetore.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është mbyllur pakoja për ekonomi të qëndrueshme dhe zhvillimore maqedonase dhe për përmirësim të likuiditetit të ekonomisë. Kjo pako direkt ka lidhje me katër të parat dhe ka për qëllim që ta lëvizë ekonominë kah shkallët e njohura të rritjes për ne prej 4 -5 për qind”, gjegjësisht të dinamikës së rritjes të cilën e kishim para pandemisë”, tha Zaevi.
Mbështetja nga shumica e masave, tha, do të përdoret deri në fund të vitit 2021 që të kenë ndikim dhe efekt ndaj ekonomisë. Masat janë sjellë përgjatë dialogut dhe partneritetit me të gjithë faktorët relevantë – odat ekonomike, punëdhënësit dhe sindikatat, si edhe për katër pakot e kaluara, të shoqëruara me analiza serioze nga institucionet.
“Masat do ta rrumbullakojnë procesin e ndihmës direkte me çka kalojmë në fazën e daljes dhe rimëkëmbjes nga kriza. Kjo nënkupton se vijmë përsëri në kohë të qëndrueshmërisë dhe zhvillimit, situatë e cila me këto masa në mënyrë shtesë presim të stimulohet. Me kredi me interes të ulët dhe përmes masave sistemore sipas planit për rritjes në afat të mesëm dhe të gjatë, do të mbështetet ekonomia në tërësi. Presim shkallë më serioze të rritjes së PBV-së në tremujorin e dytë të vitit 2021”, theksoi kryeministri.
Në konferencë për media në Qeveri marrin pjesë zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.