Përgatitjet për realizimin e regjistrimit ishin temë e takimit të sotëm të ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në vend, në të cilin morën pjesë edhe drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski dhe zëvendësdrejtori, Ilmi Selami.
Siç kumtoi Ministria e Drejtësisë, pas miratimit të Ligjit dhe publikimit të metodologjisë të gjithë përgjegjësit për organizimin e regjistrimit, intensivisht punojnë me qëllim që me sukses ta realizojnë operacionin statistikor i cili ka rëndësi thelbësore për zhvillimin e shtetit.
“Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut u mbajt në vitin 2002. Kishim edhe një përpjekje të pasuksesshme dhe të shtrenjtë për regjistrim në vitin 2011. Vendi ynë është një nga të rrallët në botë i cili është pa regjistrim 19 vite të tëra. Këto janë disa nga shkaqet se pse nevojitet regjistrimi në Maqedoninë e Veriut, gjithsesi duke i respektuar të gjitha protokollet shëndetësore me qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve tanë. Tashmë kemi një përvojë të ngjashme me organizimin me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kushte të pandemisë”, theksoi Mariçiqi.
Ministri Mariçiq, shtohet, ambasadorëve të BE-së ua prezantoi edhe reformat e shumta në gjyqësor me theks në planin e brendshëm për kontroll të punës në gjyqësor dhe digjitalizimit. Pikërisht për vendosjen e teknologjisë informatike në punën e gjykatave është paralajmëruar mbështetje nga disa shtete të BE-së, për çka ministri i falënderoi dhe tha se përvoja e tyre për këtë proces është me rëndësi të madhe për shtetin, qëndron në kumtesë