Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në një intervistë për të përditshmen e Sofjes “24 orë”, tha se është fakt që është bërë politikë e dukshme dhe aktive e Bullgarisë në Ballkan.
“Që në 2-3 muajt e parë të mandatit tim i kam vizituar të gjitha vendet në rajon. Ky ishte qëllimi im si ministre. Kuptohet, shkova edhe në Rumani dhe Greqi si vende fqinje dhe anëtare të BE-së. Ne vazhdimisht takoheshim me kolegë në forume të ndryshme. Qëllimi i Bullgarisë – dhe jo vetëm i kësaj qeverie, një sërë qeverisë kanë punuar për të – të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë”, tha Zaharieva.
E pyetur në lidhje me marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, Zaharieva komentoi se “Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur edhe në momentet më të vështira dhe se do të vazhdojë ta bëjë edhe tani.”
“Nuk doja që të zhvillohen kaq shumë negociata përmes mediave, kjo çoi në retorikë të vështirë, sepse pastaj është e vështirë të mohohen fjalët tashmë të thëna. E kuptoj që shpesh flitet për audiencën, por nuk është e drejtë që në shekullin e 21-të të fitohet në zgjedhje me fushatë, kundër cilit do vend qoftë prej fqinjësisë. Nuk mund të vazhdohet kështu”, thotë Zaharieva.
Sipas Zaharievës, megjithatë, nuk është sekret që Beogradi ka një ndikim të fortë në Shkup dhe se sigurisht ka tendencë të afrojë gjuhën serbe, biznesin serb dhe institucionet. Trendi, i cili sipas saj, nuk ndalet në 30 vitet e fundit.
Qëllimi i Bullgarisë, thotë Zaharieva, nuk është të prishë marrëdhëniet miqësore midis Shkupit dhe Beogradit.
“Le të jenë miq. Ne thjesht duam të kemi një marrëdhënie miqësore edhe me ne. Le të jemi të gjithë miq. Të jemi të lidhur, të ndërtojmë së bashku. Nuk mund të mos kemi linjë hekurudhore me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ata nuk mund të vendosin pengesa administrative për kompanitë bullgare. Përpjekja për ta paraqitur Bullgarinë si një hakmarrje historike të shekullit të 19-të është jashtëzakonisht e papranueshme, sepse problemet tona janë reale. Gjëja më e rëndësishme është që të qetësohen emocionet dhe të shikojmë në mënyrë pragmatike”, thotë Zaharieva.
E pyetur nëse, si ministre e jashtme e Bullgarisë, ka arritur të gjejë një ekuilibër midis Moskës dhe Uashingtonit, duke pasur parasysh që edhe SHBA-ja edhe Rusia kanë ambasadore femra në Sofje, Zaharieva tha se të gjithë ambasadorët e huaj punojnë njësoj mirë dhe se nuk luan rol se kush nga cili shtet vjen, ndërsa gjinia akoma më pak.
“Por, për sa i përket çështjes së ekuilibrit, do të them se interesat kombëtare bullgare janë në vend të parë. Orientimi gjeopolitik i Bullgarisë është i qartë dhe shpresoj se nuk do të vihet në pikëpyetje. Dialogu strategjik me SHBA-në dhe vizita e kryeministrit në Uashington janë tregues i marrëdhënies që e kemi”, theksoi Zaharieva.
Sipas saj, shumë vizita janë realizuar me Rusinë, edhe atë në nivelin më të lartë, si president, kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme…
“Kur e vizitova Moskën, ministri bullgar i Punëve të Jashtme nuk kishte qenë atje që nga viti 2011. Ne kishim planifikuar një vizitë të Sergei Lavrov në Sofje, por për shkak të krizës KOVID dhe kjo, për fat të keq nuk ndodhi. Kemi marrëdhënie pragmatike dhe të sinqertë me Rusinë”, tha Zaharieva.