Vaksinimi kundër Kovid-19 në shtet do të fillojë të mërkurën (17 shkurt). Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit shëndetësor në spitalin modular në Qendrën Klinike “Nëna Terezë” në Shkup.
Në vendin tonë dje arriti dërgesa e parë prej 4.680 vaksinave nga 8.000 të parashikuara kundër Kovid-19 të kompanisë “Fajzer” të cilat janë donacion nga Serbia.
Vaksinat në vendkalimin kufitar Tabanocë kryeministrit Zoran Zaev ia dorëzoi presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Pas pranimdorëzimit të vaksinave ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe theksoi se sot do të përfundojë procedura e rregullt në Agjencinë për ilaçe.
“Vaksinat janë vendosur në frigoriferët e Institutit për Transfuziologji. Vaksinat janë zhvilluar në platforma të sigurta dhe me to do ta parandalojmë përhapjen e Kovid-19. Sistemi shëndetësor i Maqedonisë tërësisht është i gatshëm për imunizim të popullatës, informuan nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga mesi i muajit priten edhe 200 mijë vaksina nga kompania kineze “Sinofarm”. Në vend duhet të arrijnë edhe doza plotësuese nga “Fajzer” të cilat janë siguruar nga negociatat direkte me kompaninë si dhe doza përmes sistemit Kovaks.
Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se deri tani janë paraqitur 4000 punonjës shëndetësor për vaksinim kundër Kovid-19 prej të cilëve rreth 2000 punonjës shëndetësor janë nga Shkupi ndërsa të tjerët janë nga qytetet e tjera.
Gjithsej 43.335 qytetarë kanë shprehur interesim për vaksinim kundër Kovid-19 përmes ueb faqes “Vakcinacija.mk”. Përmes mjekëve amë janë paraqitur 13.511 persona, informuan për MIA-n nga Ministria e Shëndetësisë.
Kryeministri Zoran Zaev pranimdorëzimin e vaksinave të para nga Serbia e vlerësoi si akt të solidaritetit të madh, miqësisë dhe ndihmës së parë nga populli vëllazëror serb ndaj popullit të Maqedonisë dhe akt i sinqertë i miqësisë.
Presidenti serb Vuçiq potencoi se pranimdorëzimi i vaksinave ka mundur të ndodh edhe para 10 ditëve, por ka pasur shumë problem me marrjen e lejes nga “Fajzer” për shkak të procedurave shumë të rrepta dhe u falënderua që përfundimisht kjo u është mundësuar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orëshin paraprak janë regjistruar 180 raste të reja me Kovid-19, të vdekur janë 13 dhe 206 pacientë të shëruar.
Numri i tërësishëm i personave të diagnostifikuar me Kovid në vend nga fillimi i epidemisë arrin 97.052, numri i pacientëve të shëruar është 87.652, i të vdekurve është 2.989, ndërsa i rasteve akrive arrin 6.411 prej të cilëve 2893 janë nga Shkupi.
Në repartet infektive në vend mjekohen 585 pacientë me Kovid-19 prej të cilëve 237 janë në Shkup.