Gjithsej 46.023 qytetarë deri më tani kanë aplikuar për vaksinim kundër Kovid-19 përmes ueb-faqes “Vakcinacija.mk”. Ndërsa, 13.511 persona janë paraqitur përmes mjekëve amë, informoi Ministria e Shëndetësisë për MIA-n.
Ueb-faqja u lansua javën e kaluar dhe çdo qytetar mund të aplikojë në të, pasi sistemi do të jetë ai që gjeneron se cilit qytetarë do t’u jepet përparësi. Përveç kësaj, regjistrimi për vaksinim mund të bëhet përmes mjekëve amë përmes sistemit “Termini Im”.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se pasnesër në spitalin modular në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile do të fillojë vaksinimi i punonjësve shëndetësorë që punojnë në qendrat kovid. Vaksinimi do të fillojë në orën 10 të mëngjesit, ndërsa i pari që do të vaksinohet do të jetë personeli mjekësor që punon në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile në Shkup.
Pika në spitalin modular ku ka gjashtë pozicione vaksinimi, siç theksohet në komunikatë, do të funksionojë në dy turne nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 20 të mbrëmjes, ndërsa vaksinimin do ta kryejnë ekipet mjekësore nga Qendra shëndetësore Shkup. Sipas planit të përcaktuar, terminët për vaksinim do të jenë në 10 minuta.
Deri më tani janë paraqitur 4.000 punonjës shëndetësor për vaksinim, prej të cilëve 2.000 nga Shkupi, të tjerët nga qytete tjera. Çdo punonjës shëndetësor, që do të marrë vaksinën menjëherë do t’i sigurohet doza e dytë për rivaksinim.
Në vend dje nga Serbia kanë ardhur 4.680 doza të vaksinave nga prodhuesi “Fajzer”. Me këtë dërgesë të vaksinave, imunizimi do të kryhet vetëm në spitalin modular të Shkupit. Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave në vend, vaksinat do të shpërndahen në qendrat e tjera shëndetësore në vend ku vaksinimi do të kryhet në pikat ekzistuese të vaksinimit, shtohet në komunikatë.
Deri në fund të këtij muaji, priten edhe 200.000 vaksina nga kompania kineze “Sinofarm”. Në vend duhet të arrijnë edhe dozat shtesë të “Fajzer” të cilat sigurohen nga negociatat e drejtpërdrejta me kompaninë, si dhe doza përmes sistemit Kovaks.