Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska sot mbajti takim onlajn me përfaqësuesit e Sindikatës së Qendrës klinike, ku u diskutua për zgjidhjen ligjore që e diela të jetë ditë e pushimit javor.
Nga ana e Sindikatës, siç komunikoi Ministria, u theksuan propozim zgjidhjet që do t’i përshtateshin shëndetësisë si një aktivitet veçanërisht kompleks ku kujdestaritë rregullohen sipas Ligjit për kujdes shëndetësor dhe Marrëveshjes kolektive.
“Në takim u diskutua edhe për disa tema të tjera në fushën e përfaqësimit të Sindikatës, për projekt zgjidhjen ligjore të Ligjit për marrëdhënie pune, në të cilin punon grupi i punës në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale me Sindikatat, Organizata e punëdhënësve, përfaqësuesit dhe ekspertët e ONP-së, i cili parashikon pension të detyrueshëm në moshën 64 vjeçare dhe 15 vjet stazh, me përjashtim të mungesës së personelit si në shëndetësi ashtu edhe në arsimin e lartë”, theksojnë nga MPPS.
Bashkëbiseduesit gjithashtu shprehën gatishmërinë për takime dhe mbledhje të mëtejshme për të gjitha çështjet që janë në kompetencë të Ministrisë, ndërsa i prekin punonjësit në sektorin e shëndetësisë.