Regjistrimi është operacion statistikor të cilin duhet ta bëjmë, ai është detyrim yni, deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev, i cili duke e komentuar thirrjen e opozitës për shtyrjen e tij, pyeti se çka do të ndryshojë nëse regjistrimi mbahet në maj të vitit të ardhshëm.
“Regjistrimi është prej 1 deri më 21 prill siç është paraparë edhe ai duhet të përfundojë. Edhe pse u bë thirrje se a duhet diçka të ndryshojë, edhe një herë përsëris – gjatë verës askund nuk bëhet regjistrim, në shtator ka fushatë për zgjedhje, në tetor janë zgjedhjet e rregullta lokale. Nëse e shtyjmë, kur? Deri në maj ta shtyjmë? Çka do të ndryshojë kjo? Kështu që duhet të përqendrohemi të gjithë me përgjegjësi të dalim ta përfundojmë regjistrimin”, tha Zaevi në konferencë për media në Qeveri, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Kryeministri potencoi se regjistrimi është obligim qytetar i të gjithëve që qartë është i përcaktuar me ligj.
“Nëse jemi shtet dhe sillemi siç i ka hije shtetit duhet t’i vendosim edhe postulatet shtetërore. Regjistrimi është nevojë urgjente në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, përsëriti Zaevi.
Ai tha se janë të hapur për të gjitha çështjet që përgjatë dialogut të zgjidhen punët dhe se është mirë sa herë të ndërtohet konsensus aty ku është e mundshme. Por, ai përsëriti se 20 vite Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka pasur regjistrim.
“Punojmë këtu në Qeveri, në komuna, kryetarët e komunave, të gjitha ndërmarrjet publike shtetërore dhe lokale, të gjitha firmat private, e madje edhe i gjithë populli ynë në mjegull, në errësirë. Nuk i dimë numrat, nuk e dimë se sa jemi, ku jemi të shpërndarë, si jemi të vendosur, cilat janë parametrat industrialë, cilat janë burimet themelore dhe ku kjo jep indikacione serioze për maksimalizim të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të shtetit”, tha Zaevi.