Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht kërkoi nga Bullgaria ekstradimin e Igor Spasovit, pasi gjatë ditës së djeshme, pas kompletimit të dokumentacionit, kërkesa i është dërguar autoriteteve bullgare të cilat më tutje do të veprojnë për të njëjtën, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Kërkesa për ekstradim, siç informojnë, është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
Ish-pjesëtari i njësiteve speciale të MPB-së – Igor Spasov, i cili është dënuar për vrasjen e Martin Neshkovskit, ishte arrestuar në Sofje në fillim të këtij muaji.
Spasovi është dënuar me 14 vite burg për vrasjen e Neshkoskit që ndodhi në sheshin e Shkupit në festimin e fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011.
MPB shpalli urdhërarrest ndërkombëtar për Spasovin në fund të tetorit të vitit 2019 pasi ai nuk u kthye në burg pas përfundimit të mjekimit. Ai kërkohet për të vuajtur dënimin me burg prej shtatë viteve dhe tre muajve, qëndron në ueb-faqen e MPB-së sonë.