Masat nga pakoja e pestë parashikojnë grante për rezultatet e realizuara pozitive ekonomike, mbështetje financiare për eksporte, rritje të konsiderueshme të qasjes në kredi dhe mjete likuide përmes fondeve – gjegjësisht një seri masash të cilat do ta mbështesin komponentin e zhvillimit dhe gjenerojnë në rritje, shkruan në kolumnën e tij ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Ai, siç kumtoi Ministria e Financave, thekson se seria e re e masave, e cila duhet të miratohet së shpejti, synon revitalizimin dhe zhvillimin.
“Pakoja e pestë e masave anti-krizë u krijua bazuar në synimet për të inkurajuar rezultate pozitive të biznesit, për të mbështetur aktivitetin e eksportit, për të mbështetur aksesin në kapital të kompanive, për të inkurajuar aktivitetin e investimeve, për të përmirësuar konkurrencën, investimet në kapitalin njerëzor, dixhitalizimin dhe investimet në inovacion dhe zhvillim, pra për të mbështetur revitalizimin dhe zhvillimin”, shkruan Besimi.
Ai thekson se në periudhën në vijim fokusi do të jetë në tre qëllime kryesore: ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, sigurimet shoqërore dhe mbështetjen e ekonomisë. Ai tregon se politika fiskale është e përqendruar në këto zona, kështu që në buxhetin e vitit 2021 janë ndarë mbi 640 milion euro për shëndetësinë, rreth 1.5 miliardë euro për mbështetjen sociale dhe mbi 1.4 miliardë euro për të mbështetur zhvillimin ekonomik.
Besimi shprehet se SMART financat janë koncepti që do të japë rezultate në rivitalizimin e ekonomisë, përmes një strategjie gjithëpërfshirëse dhe plani të zbatimit, monitorimit vigjilent të rezultateve dhe matjes së ndikimit të tyre.