Presidenti Stevo Pendarovski dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) sot njoftuan për fillimin e iniciativës së re të përbashkët “Vizualizoni të ardhmen”, e cila synon t’u japë fëmijëve dhe të rinjve hapësirë për t’u angazhuar në përcaktimin e vizionit për të ardhmen që ata duan për veten e tyre dhe për brezat e ardhshëm.
Siç kumtoi kabineti i presidentit Pendarovski, në tre muajt e ardhshëm të rinjtë do të kenë mundësinë të marrin pjesë në konsultime, ku do të diskutojnë çështje që janë të rëndësishme për ta, sfidat dhe pritjet e tyre më të mëdha për të ardhmen e vendit dhe do të marrin hapësirë të propozojë zgjidhje, me të cilat do ta kthejnë vizionin në realitet.
“Brezi i sotëm i të rinjve përballet me shumë sfida. Por në të njëjtën kohë, ata janë gjenerata më e informuar dhe e digjitalizuar në historinë tonë që ka një mundësi unike për të bërë diçka për të ardhmen e tyre. Detyra jonë është të dëgjojmë pikëpamjet e tyre, sepse idetë e tyre janë të rëndësishme. T’i ndihmojnë ata të jenë pjesë e proceseve të krijimit të politikave dhe vendimmarrjes që ndikojnë në të ardhmen e tyre dhe të gjithë neve”, tha presidenti Pendarovski.
Siç thuhet në kumtesë, janë afër 190.000 adoleshentë të moshës 12 deri 19 vjeç në vend, dhe megjithatë pak prej tyre kanë mundësinë të marrin pjesë në vendime që ndikojnë në jetën e tyre, jetesën e tyre dhe komunitetet e tyre. Edukimi cilësor, shëndeti mendor, parandalimi i ngacmimit në internet, veprimi klimatik dhe punësimi janë ndër përparësitë kryesore të të rinjve para dhe gjatë pandemisë së KOVID-19. Kjo iniciativë e re përqendrohet në një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për çdo fëmijë dhe çdo të ri në vend në periudhën pas KOVID-19.
“Ajo që ne bëjmë për fëmijët dhe të rinjtë, së bashku me ta dhe në emër të tyre sot, do të përcaktojë të nesërmen e tyre. Kjo iniciativë e përbashkët vjen në një moment vendimtar dhe është mundësi e rrallë për të vizualizuar të ardhmen së bashku me fëmijë dhe të rinj. Përmes nismës, të rinjtë do të jenë në gjendje të bëhen nxitës të ndryshimeve në një sërë çështjesh, ndërsa ne do të jemi në gjendje të përdorim potencialin e madh për inovacion dhe transformim që ata ofrojnë kur mbështeten nga platformat dhe aftësitë e duhura dhe kur ata kanë besim për të qenë udhëheqës në vendin e tyre”, tha Patricija Di Xhovani, përfaqësuesja e UNICEF.
Të rinjtë ftohen të marrin pjesë në onlajn sondazhin e parë që synon identifikimin e sfidave me të cilat përballen, por edhe zbulimin e ideve dhe vizioneve të tyre për të ardhmen. Gjetjet e hulumtimit do të shërbejnë si mbështetje për temat e punëtorive në muajt e ardhshëm, ndërsa të rinjtë do të ftohen të bashkohen përmes thirrjes së hapur.