Drejtori i Entit Shtetërorë për Statistikë (ESHS), Apostol Simovski sot në konferencë për shtyp e publikoi Metodologjinë për përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e regjistrimit në prill që siç tha, u publikua në Gazetën Zyrtare dhe mund të shihet edhe në ueb faqen e ESHS-së. Simovski u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin seriozisht këtë operacion statistikor dhe se është ekskluzivisht për krijimin e politikave në interes të qytetarëve. Risi në këtë proces, për dallim nga i kaluari, Simovski theksoi se do të jetë ajo që operacioni do të zbatohet përmes metodës së kombinuar, që do të mundësojë nivel të lartë të cilësisë së të dhënave.
“Qytetarët vetëm mund të humbin nëse refuzojnë të japin të dhëna në regjistrim. Përdorimi i këtyre të dhënave është në funksion të qytetarëve. Kjo është arsyeja pse miratohet ligj me të cilin jepet detyrim për të marrë pjesë në regjistrimin”, tha Simovski.
Drejtori i ESHS-së është i prerë se çdo bojkot ose refuzim i dhënies së të dhënave është vetëm në dëm të qytetarëve. “Secili që do të tentojë të refuzojë, të mos marrë pjesë në regjistrim i bën dëm vetes dhe të gjithë qytetarëve të shtetit.
“Unë i bëj thirrje të gjithëve që ta pranojnë regjistrimin, sepse ky është një veprim i dobishëm shoqëror, nuk është në interes të asnjë strukture politike në vend, por në interes të të gjithë qytetarëve në vend. Të dhënat nga regjistrimi kanë një vlerë të madhe të përdorshme dhe kryesisht në drejtim të zhvillimit të shoqërisë, në të gjitha elementet, nga ekonomia, arsimi, shëndetësia, deri në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Simovski.
Nënvizoi se secila e dhënë gjatë kohës së regjistrimit do të kontrollohet përmes disa bazave të të dhënave, duke bërë thirrje për besueshmërinë e informacioneve të cilat do t’u jepen regjistruesve. Simovski tha se krahas bazës së MPB-së, në të cilën regjistrohet hyrja dhe dalje nga shtetit, do të përdoret edhe baza nga Ministria e Shëndetësisë, MPPS, DAP, por edhe baza të tjera të të dhënave.
Lidhur me deklaratat politike për shtyrjen e mundshme të regjistrimit, Simovski theksoi se si Ent për statistikë nuk japin komente për deklaratat politike dhe se ata udhëhiqen nga Ligji për Regjistrim, ku është përcaktuar periudha për kryerjen e regjistrimit dhe të gjitha afatet në lidhje me regjistrimin dhe se atë ligj duhet ta respektojnë.
Simovski gjithashtu theksoi se diaspora do të regjistrohet një muaj para fillimit të regjistrimit, përkatësisht përmes një aplikacioni që do të funksionojë nga 1 marsi. Ai theksoi se përmes këtij aplikacioni do të regjistrohen njerëzit që janë vetëm jashtë vendit dhe ky është me procedura dhe kritere të veçanta, duke shtuar se është një aplikacion jashtëzakonisht i sigurt.
Me regjistrimin përfshihen personat, amvisëri dhe banesa, ndërsa personat të cilët nuk përfshihen me këtë operacion janë personeli diplomatik i përfaqësive të huaja konsullore, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, personeli i huaj ushtarak dhe anëtarët e familjeve të tyre të locuara në RMV, si dhe anëtarët dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare dhe bashkësive të cilat në momentin e regjistrimin qëndrojnë në RMV, të huaj të cilët janë në udhëtim zyrtar në vend, në pushim ose mjekim, shtetas të huaj të cilët për shkak të punës ose shkollimit për çdo ditë e kalojnë kufirin e shtetit… Simovski shtoi edhe se regjistrimi nuk do t’i përfshijë banesat e zbrazëta në ndërtesa në të cilat ende nuk është i lejuar strehimi, objektet të cilat nuk shfrytëzohen për strehim të mjeteve bujqësore, si dhe banesat kolektive në të cilat nuk jeton asnjë amvisëri individuale.
Me regjistrimin do të fitohen të dhëna për popullatën e rezidente në tërësi, popullatën jorezidente dhe popullatën e regjistruar në tërësi.
Rezidentë, sqaroi Simovski, janë ata shtetas me vendbanim në vend, pa marrë parasysh asaj se për momentin e regjistrimit ata gjenden në vendbanimin e tyre ose në vend tjetër në shtet.
“Rezidentë janë edhe personat e huaj të cilët qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut më gjatë se 12 muaj, ndërsa e njëjta vlen edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët gjatë regjistrimit jetojnë jashtë vendit më pak se 12 muaj. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe refugjatët të cilët janë të pranishëm në vend më shumë se një vit. Si popullatë jorezidente konsiderohen banorët e Maqedonisë së Veriut të cilët për shkak të punës ose për shkaqe të tjera janë jashtë vendit më shumë se një vit. Jorezidentë janë edhe personat e huaj të cilët qëndrojnë në shtet deri 12 muaj me leje për qëndrim të përkohshëm”, sqaroi Simovski.
Risi në këtë regjistrim, për dallim nga i kaluari, Simovski theksoi se do të jetë ajo që operacioni do të zbatohet përmes metodës së kombinuar, që do të mundësojë nivel të lartë të cilësisë së të dhënave.
Në regjistrim do të marrin pjesë Enti Shtetëror i Statistikës, Këshilli për Statistikë, Komisionet e Regjistrimit në Rajone, ndërsa do të ketë edhe 150 instruktorë shtetërorë, 500 instruktorë rajoni dhe të paktën 5.500 regjistrues rajoni.
Sa i përket pandemisë me virusin korona, gjegjësisht kush do t’i regjistrojë personat të cilët në atë periudhë do të jenë pozitivë në kovid, Simovski tha se të gjitha protokollet për mbrojtje do të zbatohen gjatë regjistrimit.
Kuvendi më 21 janar e miratoi Ligjin për Regjistrimin e popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas të cilit regjistrimi duhet të kryhet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti. Ligji garanton realizim të regjistrimit sipas standardeve ndërkombëtare dhe standardeve të Eurostat.
Opozita mbetet në qëndrimin se regjistrimi duhet të shtyhet për vitin e ardhshëm, ose nëse insistohet të bëhet në pranverë, të kryhet në mënyrë elektronike. VMRO-DPMNE e filloi zyrtarisht edhe iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për regjistrim. Përkundër kërkesës së VMRO-DPMNE-së për regjistrim elektronik, nga LSDM-ja me qëndrim se ky lloj i operacionit statistikor nuk do t’i japë të dhënat e plota siç janë të nevojshme dhe të cilat duhet të jenë sipas standardeve të Eurostat.
Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski kohët e fundit deklaroi se për mendimin e tij nuk do të ishte problem shtyrja e zbatimit të këtij operacioni statistikor dhe mbajtja e tij në maj ose qershor, për të cilën pardje edhe kryeministri Zoran Zaev deklaroi se një mundësi e tillë vlen të merret në konsideratë, por theksoi, vetëm nëse bëhet fjalë për shtyrje prej një ose dy muajsh.