Krijuesi dhe administratori i grupit “Dhoma Publike” në rrjetin social Telegram janë privuar nga liria pasi dje Prokuroria Themelore Publike në Shkup lëshoi urdhër në Ministrinë e Punëve të Brendshme për arrestimin e tyre, kurse prokurori publik kompetent lëshoi urdhër sot për procedurë hetimore kundër dy të dyshuarve për vepër penale – Prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve, kumton Prokuroria Publike e Shtetit.
Meqenëse ekziston rreziku i arratisjes, mundësia për të ndikuar në dëshmitarët ose për të përsëritur krimin, prokurori publik për dy të dyshuarit, të moshës 32 dhe 21 vjeç, te gjykatësi i procedurës paraprake dorëzoi propozim për paraburgim në Gjykatën Themelore Penale Shkup.
PPRMV në kumtesë thekson se në periudhën nga 19 dhjetori i vitit 2019 deri më 28 janar të vitit 2020, të dy të dyshuarit, si themelues dhe moderator i grupit, ishin të obliguar të kujdeseshin për përmbajtjen tekstuale dhe audiovizive të cilat shpërndahen nga anëtarët e grupit. Por ata qëllimisht e lejuan grupin të vinte në dispozicion përmbajtje – material audioviziv që tregon veprime të dukshme seksuale me fëmijë.
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup thekson se për shkak të vëllimit të materialit të analizuar të ndarë në këtë grup, dhe me qëllim të përcaktimit të identitetit të autorëve të krimeve dhe sigurimin e provave përkatëse në mënyrë të ligjshme, gjatë procedurës parahetimore ishte e nevojshme të lëshoheshin 20 urdhra dhe kërkesa në Ministrinë e Brendshme. Pas këtyre urdhrave dhe kërkesave, u dorëzuan njoftime dhe analiza. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe fshehtësisë së procedurës para hetimore, sipas Ligjit për Procedurën Penale, deri më tani Prokuroria nuk ishte në gjendje ta ndante këtë informacion me publikun, megjithëse gjatë gjithë periudhës ajo ka vepruar dhe vazhdon të veprojnë në mënyrë aktive”, thekson Prokuroria Publike RMV në informacion.
Lidhur me denoncimet e deritanishme nga të dëmtuarit dhe viktimat për anëtarët e caktuar të grupit “Dhoma Publike” në rrjetin social Telegram, edhe mëtej bëhen kontrolle në procedurë parahetimore, kështu që nëse përcaktohet se është kryer vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, Prokuroria Publike do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj.
Prokuroria inkurajon viktimat dhe të dëmtuarit e kësaj dhe ngjarjeve të ngjashme penale-ligjore që t’i raportojnë ato në Ministrinë e Punëve të Brendshme si organ i autorizuar për përcaktimin e identitetit të autorëve të krimeve.
Potencon se MPB disponon bazë të dhënash me emrat dhe mbiemrat e të gjithë shtetasve dhe të huajve, si dhe të dhënat e tyre personale që do të ndihmojnë në dokumentimin e ngjarjeve dhe sigurimin e provave përkatëse sipas detyrës zyrtare, dhe kur përcaktohet nga Ligji për procedurë penale, dhe me urdhër dhe kërkesë të prokurorit publik.
Njëkohësisht, Prokuroria Publike mbështet propozimet për ndryshimin e Kodit Penal me veprat penale të “përndjekjes” dhe “ngacmimit seksual” të cilat në të ardhmen duhet të mundësojnë ndjekje më efikase të këtyre krimeve.