Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Shqipërisë, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani realizoi takim me ministren për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Ministrat kanë hapur shumë tema nga interesi i përbashkët për zhvillimin e raporteve bilateral, për ngjarjet e brendshme politike në dy vendet, për bashkëpunimin në NATO, perspektivën evropiane, iniciativat rajonale, ndërkaq u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit edhe në politikat tjera sektoriale.
“Është e pakontestueshme se marrëdhëniet midis dy vendeve qe moti kalojnë pragun e fqinjësisë së mirë dhe ata janë themeluar në bazat e një miqësie stabile dhe afatgjate. Vlerësoj se kjo miqësi e jona i kalon interesat e dy vendeve tona dhe përbën një prej shtyllave më të rëndësishme për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, deklaroi Osmani.
Siç theksohet në kumtesë, rrumbullakimi i agjendës euroatlantike me theks mbi nisjen formale të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte një prej temave më të rëndësishme e diskutimit të takim.
Shefat e diplomacisë u pajtuan se këmbëngulja e dy shteteve në këtë kurs dhe reformat aktuale të lidhura me këtë përbëjnë garanci shtesë jo vetëm për prosperitetin dhe standardin e përmirësuar të qytetarëve, por edhe të zhvillimit në përgjithësi dhe raportet në kuadër të vet rajonit.
Bashkëbiseduesit nënvizuan nevojën për realizimin e projekteve për lidhje infrastrukturore dhe energjetike, por edhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha tjera, si tregtia, turizmi, kultura, arsimi. Fokus i veçantë është vënë edhe në Iniciativën 8, si forum i vlefshëm për avancimin e bashkëpunimit trilateral.
“Kemi shansin e mirë të sigurojmë komplementaritet dhe realizim të të gjithë iniciativave, përfshirë edhe Iniciativën 8, marrë parasysh se me këtë e përforcojmë rrugën që çon drejt Brukselit”, tha Osmani.
Në vazhdim të vizitës në Tiranë, ministri Osmani do të takohet edhe me presidentin Ilir Meta, ministrin e Shtetit për Diasporë, Pandeli Majko, si dhe me liderin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.