Ministri i Politikës së Jashtme të BE-së Zhozep Borrell filloi takimin e tij me ministrin e Punëve të Jashtme rus Sergei Lavrov duke deklaruar se marrëdhëniet e ndërsjella “po jetojnë në një moment të vështirë”.
Takimi i sotëm në Moskë është i pari që mbahet nga një zyrtar i lartë i BE-së në tokën ruse në katër vitet e fundit. Megjithatë, BE-ja është përballur me kritika për ndërmarrjen e hapave për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën gjatë një operacioni kundër aktivistit të opozitës Aleksei Navalni dhe mbështetësve të tij.
“Çështja Navalni i ka sjellë marrëdhëniet tona në një nivel të ulët”, tha ai. Por, përkundër dallimeve tona, ndërtimi i një muri heshtjeje nuk është opsion.
Në blogun e tij, Borrell shkroi se BE dënoi arrestimin e Navalnit dhe represionin në demonstratat e fundit, por gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Moskën.
“Rusia mbetet një fqinjë dhe një partner kryesor me të cilin ne duhet të përfshihemi në dialog nëse vërtet duam të bëhemi një lojtar global dhe të jemi në gjendje të ndikojmë në çështjet thelbësore për sigurinë tonë, të tilla si Siria, Libia, Nagoren-Karabah, Bjellorusi dhe Ukraina. Ky është qëllimi i vizitës sime”.