Kuvendi mbrëmë nuk e pranoi iniciativën e opozitës për revokim nga funksioni të zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov. Pas debatit 12-orësh, “për” interpelancën votuan 53 deputetë, 55 “kundër” dhe asnjë i përmbajtur.
Debati kaloi me shumë akuza mes shumicës në pushtet dhe opozitës, e cila kërkoi Dimitrovi menjëherë të japë dorëheqje.
Kjo është interpelanca e tretë për Dimitrovin gjatë tre viteve e gjysmë, dy të parat ishin në cilësinë e shefit të diplomacisë.
“Nëse në dy interpelancat e para u qasa me seriozitetin e detyruar, kësaj të tretës nuk mundem, e të mos i qasem me indinjim. Mu prandaj edhe nuk u përgjigja me shkrim. Për çka akuzohem? Që nuk reflektova negociata me çdo çmim? Me çmimin e gjuhës maqedonase? Zonja dhe zotërinj, a këtë e deshët? Në mënyrë që të mund ta plasoni tezën për tradhti të interesave nacionale? Sepse kështu ajo tezë nuk kalon. Nëse e kërkuat atë nga unë, atëherë t’ju them me njëherë – atë asnjëherë nuk do ta reflektoj”, theksoi Dimitrov në fjalimin para deputetëve.
Sipas opozitës, shkak për interpelancën është manipulimi i opinionit për marrjen e datës, një sërë mossukesesh në politikën e jashtme, nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes me Bullgarinë e cila i bën probleme të mëdha shtetit dhe për mosmarrjen e datës për negociata inkaudruese me Bashkimin Evropian. Më kritikojnë edhe për jotransparencë në raportin e tij ndaj Kuvendit, si dhe se pushteti po negocion për identitetin dhe gjuhën.
Deputeti Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE de Koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” theksoi se shlyesi i prapashtesës “maqedonase” është mu Nikolla Dimitrovi. “Shlyesi , ai i cili e shlyu prapashtesën ‘maqedonase’ nga institucionet, ndaj institucioneve, dhe nga institucionet drejt shteteve të tjera është Nikolla Dimitrov”, theksoi Milloshoski.
Për LSDM-në në pushtet, interpelanca është e paargumentuar dhe me të VMRO-DPMNE po tenton t’i amortizojë sukseset e Qeverisë në planin e jashtëm. Martin Kostovski nga LSDM mbrëmë theksoi se kjo interpelancë do të jetë edhe një humbje për VMRO-DPMNE-në. “Dimitrov gëzon besimin e plotë të deputetëve nga shumica sepse lufton për interesat shtetërorë”, tha Kostovski.
Monika Zajkova nga PLD dje pasdite theksoi se interpelanca për punën e Dimitrovit është edhe një dëshmi për, siç tha, dëshirën e opozitës për të gjuajtur pikë politike atje ku nuk ka apo “gjueti në të zbrazët”. U përqendrua në pounën e Dimitrovit, e cila sipas saj, është për të mirën e shtetit, për qytetarët dhe për të ardhmen e të rinjve.
Arbër Ademi nga BDI tha se nuk sheh arsyeshmëri në interpelancën e parashtruar. “Do të vazhdojmë përpara së bashku në gjetjen e baraspeshës së fuqishme mes shqetësimit tonë dhe të respektimit të identitetit të qytetarëve tanë, njëkohësisht duke siguruar që e ardhmja të mbetet e hapur për përparim dhe mirëqenie”, nënvizoi Ademi.
Zëvendëskryeministri Dimitrov tha se paraqitjet, temat dhe sulmet personale mbrëmë ia konfirmuan tezën se interpelanca nuk ka shumë lidhje të fortë me punën e tij reale.
“U përgjigja për pjesëmarrjen në Komision. Nuk isha i ftuar në mënyrë të rregullt, nuk e kisha patjetër të marr pjesë. Megjithatë, nuk e refuzova pjesëmarrjen edhe krahas joseriozitetit të kryetarit të Komisionit. Sqarova për dallimet në qasjen time ndaj opinionit, në aktivitetet e mia ndërkombëtare që është e ndershme dhe e suksesshme për dallim nga mosuksesi i juaj shpesh jo bash i ndershëm dhe definitivisht, i pasuksesshëm”, tha Dimitrov, duke shtuar se do të vazhdojë me misionin e tij.
“Do të vazhdoj me misionin tim të jemi dhe do të jemi edhe përkundër të gjitha pengesave, përfshirë këtu edhe përpjekjet e juaja, si kjo e sotmja”, tha mbrëmë Dimitrov.
Koordinuesi i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski tha se ka ende kohë dhe kërkoi të flasin edhe dy deputetë, Dafina Stojanoska dhe Vllado Kisajllovski. Ndaj kësaj kërkese, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk u dakordua, bëri thirrje të respektohet marrëveshja për orarin e deputetëve, që ishte dhënë pauzë prej 30 minutave, pas çka pasoi votimi.