Kthimi i gjuhës serbe në shkollat e Republikës së Maqedonisë së Veriut i mohon pohimet se lidhjet me Serbinë dhe Rusinë janë ndërprerë, tha zëvendëskryeministrja dhe ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
“Maqedonizmi në vetvete është një ide gjeopolitike e krijuar nga Beogradi dhe Moska. Për fat të keq, nuk jam e befasuar nga ky vendim i autoriteteve maqedonase. Kthimi i gjuhës serbe do të thotë se të gjitha partitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut pavarësisht nga dallimet e tyre politike, janë unanime në këtë çështje…, si dhe për temën e marrëdhënieve me Bullgarinë”, i tha Zaharieva për BTV.
Sipas saj, veprimet e tilla janë dëshmi e afrimit me Serbinë.
Ky koment i Zaharievës, siç transmeton BGNES, pason pas deklaratës së kryeministrit maqedonas Zoran Zaev se mësimi i gjuhës serbe do të kthehet në shkollat fillore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.