Grupi “Dhoma publike” në të cilën mbi 6.500 anëtarë shpërndanin fotografi, profile të rrjeteve sociale, të dhëna personale, adresa dhe numra të vajzave, mbrëmë është fshirë në rrjetin social Telegram. Në ndërkohë, vazhdon hetimi për krijuesit e grupit, ndërsa tashmë janë arrestuar katër persona, prej të cilëve dy nga Manastiri, një nga Velesi dhe një nga Shtipi. Kompetentët bëjnë thirrje për kujdes sepse në Telegram ka edhe një grup tjetër të ngjashëm për të cilin gjithashtu po veprohet.
Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Brendshme e përshëndetën hapin e platformës Telegram dhe porositën se ata të cilët e kanë shkelur ligjin do të dënohen. Zaevi dhe Spasovski, paraprakisht, u kërcënuan se ka mundësi për bllokimin e Telegramit në vend nëse platforma edhe më tutje mbetet e shurdhët në kërkesat e policisë dhe prokurorisë për fshirjen e “Dhomës publike”.
“Si Qeveri nuk na shkon ndërmend të censurojmë komunikimin, por kjo është diçka tjetër dhe ne duhet t’i mbrojmë qytetarët tanë. Sot kjo po ndodh në Telegram, dhe nesër mbase në një platformë tjetër, kështu që ne kemi për detyrë dhe obligim të bëjmë gjithçka për të siguruar përgjigje të përshtatshme nga ata që krijuan këto platforma ku ndodhin krime të tilla”, tha kryeministri. Ai shfaqi shpresën se nuk do të ketë nevojë për kufizime për Telegramin dhe se që sot do t’i përgjigjen kërkesave të tyre të shumta dhe do të fillojnë të bashkëpunojnë. Kryeministri dërgoi porosi inkurajues për viktimat e kësaj dhune, duke theksuar se ata po ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur dhe ndëshkuar autorët e këtyre akteve të neveritshme.
Edhe Spasovski paralajmëroi se ka mundësi për bllokimin e të gjithë platformës Telegram e cila punon në territorin e shtetit tonë sepse, siç tha, vazhdimisht krijohen grupe të këtilla.
“Krijimi i grupeve të tilla sigurisht që bëhet nga persona që kanë qëllime serioze të shkelin sigurinë personale ose të dhënat personale të personave të caktuar. Unë pres që përmes bashkëpunimit që kemi me Prokurorinë Publike, jo vetëm që do të nxirren para drejtësisë për abuzimin e të dhënave personale, por përkundrazi, duhet të jetë një dekurajim për këdo që guxon ta bëjë këtë në një mënyrë apo në një tjetër në të ardhmen, në ndonjë platformë, në ndonjë rrjet social për të abuzuar me të dhënat personale”, tha Spasovski.
Ai potencoi se punojnë bashkë me Prokurorinë me qëllim që të sigurohen edhe dëshmi shtesë për procedurën. Spasovski iu bëri thirrje të gjitha viktimave në “Dhomën publike” që të denoncojnë në polici.
Krahas katër të arrestuarve, po kërkohen edhe krijues dhe anëtarë të tjerë të grupit.
“Sigurisht që jemi duke kërkuar më shumë njerëz, kemi identifikuar ende njerëz të cilët në periudhën e ardhshme do të arrestohen dhe mund të arrijmë deri te ata që e kanë krijuar këtë grup. Megjithatë, edhe ato që keqpërdorin të dhënat personale brenda grupit. Punojmë intensivisht në bashkëpunim me Prokurorin Publik. Patëm reagim të shpejtë në gjetjen e këtyre autorëve, dhe mendoj se në këtë mënyrë me efikasitet mund t’u japim fund abuzimeve të tilla që aktualisht gjenden në disa rrjete sociale”, tha Spasovski.
Për “Dhomën publike” u prononcua edhe shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili në deklaratë për MIA-n tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave, në çdo formë– psikike, fizike, seksuale, dënohet me ligj dhe kërkoi nga institucionet kompetente që në mënyrë adekuate të hetojnë rastin, ndërsa keqpërdoruesit të ndiqen dhe dënohen sipas rregullave ligjore.
Sipas Pendarovskit, e drejta e privatësisë është e garantuar me aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Këto ditë jemi të neveritur që përsëri jemi dëshmitarë të rastit “Dhoma Publike”, rast në të cilin në mënyrë për tu habitur shkelet privatësia e mijëra grave dhe vajzave, poshtërime, seksizëm dhe dhunë të cilat lënë pasoja të përhershme në jetët e tyre. Përgjegjësi duhet të ketë sa më shpejtë”, tha Pendarovski.
Ai thekson se nëse nuk veprohet tani, krijohet mundësi për krijimin e kulturës së mosndëshkimit për vepra penale me të cilat shkatërrohen jetët e mijëra viktimave. Si shoqëri, secili nga ne duhet të shfaqë solidaritet dhe mbështetje për viktimat, të mos lejojmë viktimizim të dyfishtë. Të veprojmë menjëherë!, tha Pendarovski, duke e komentuar rastin me “Dhoma Publike”.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, dërgoi porosi për viktimat e keqpërdorimeve të këtilla që të inkurajohen dhe t’i denoncojnë rastet, të ngritet vetëdija publike për këtë problem, dhe paralajmëroi se “Dhoma publike” do të jetë katalizator për zbatim më të shpejtë të ndryshimeve të nevojshme ligjore për parandalimin e këtyre dukurive.
Nga VMRO-DPMNE opozitare, akuzuan se pushteti nuk është i aftë të përballet me rastin “Dhoma publike” dhe t’i mbrojë qytetarët, ndërsa më së paku personat minorenë të mos jenë viktima të keqpërdorimeve të këtilla.
“Grupi publik” përsëri u aktualizua këto ditë pasi ishte zbardhur se në rrjetin social Telegram mbi 5.600 anëtarë të grupit shpërndajnë fotografi, profile nga rrjetet sociale, të dhëna personale, adresa dhe numra të vajzave.
Grupi i parë i këtillë në rrjetet sociale ishte zbuluar para një viti, kur ishin zbuluar rreth 7.000 shfrytëzues të cilët shkëmbenin fotografi eksplicite të vajzave, prej të cilave disa edhe minorene.
Policia atëherë njoftoi se grupi “Dhoma publike” pas masave të ndërmarra është shuar.