Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ndërmori masa për zbardhjen e rastit “Dhoma Publike”, thonë nga MPB për MIA-n.
I bëjnë thirrje çdo qytetari që është viktimë e keqpërdorimit të tillë që të denoncojë në stacionin më të afërt të policisë, ndërsa MPB në koordinim me prokurorinë ndërmori masa adekuate.
“Do të vazhdojmë edhe me përpjekjet intensive që të realizohet edhe komunikim direkt me platformën Telegram e cila deri më tani demonstroi mbyllje të tërësishme për bashkëpunim me qeveritë e shteteve nga cilatdo shtete. Kuptohet se i shfrytëzojmë të gjitha aktivitetet tjera të cilat i kemi në dispozicion për zbardhjen e këtij rasti”, theksojnë nga MPB.
“Grupi publik” përsëri u aktualizua këto ditë pasi ishte zbardhur se në rrjetin social Telegram mbi 5.600 anëtarë të grupit shpërndajnë fotografi, profile nga rrjetet sociale, të dhëna personale, adresa dhe numra të vajzave.
Grupi i parë i këtillë në rrjetet sociale ishte zbuluar para një viti, kur ishin zbuluar rreth 7.000 shfrytëzues të cilët shkëmbenin fotografi eksplicite të vajzave, prej të cilave disa edhe minorene.
Policia atëherë njoftoi se grupi “Dhoma Publike” pas masave të ndërmarra është shuar.