Bashkimi Evropian sot mori vendim që ta dërgojë shefin e diplomacisë Xhozep Borelin në Moskë në fillim të shkurtit dhe njëherëh shqyrton sanksione nëse presidenti rus Vladimir Putini vazhdon me masat represive kundër opozitës, transmeton agjencia Frans pres, duke iu referuar burimeve diplomatike.
“Zhozep Boreli do ta vizitojë Moskën në fillim të shkurtit me mesazh të qartë nga BE-ja dhe do të njoftojë për gjendjen në Rusi në takimin e ardhshëm të ministrave të punëve të jashtme të BE-së më 22 shkurt”, tha një diplomat, transmeton Beta.
Bashkimi Evropian kërkon lirim urgjent të liderit opozitar rus Aleksej Navalnit dhe mbështetësve të tij, të arrestuar gjatë protestave në Rusi të shtunën.
Ministri lituanez i Punëve të Jashtme Gabrielus Landsbergis sot deklaroi se “BE-ja duhet të dërgojë mesazh të qartë se kjo nuk është e pranueshme”. “Kemi regjim të sanksioneve dhe mendoj se duhet të shfrytëzohet”, tha ai.
Boreli të shtunën i dënoi “arrestimet masive” dhe “përdorimin të forcës së tejkaluar” kundër protestuesve në Rusi të cilët kërkojnë lirimin e Navalnit.
“Parimet e sundimit të së drejtës duhet të zbatohen edhe në Rusi dhe presim menjëherë të lirohen ata që cilët protestuan qetë dhe nuk ka pasur arsye për arrestimin e tyre”, tha ministri gjerman i Punëve të Jashtme Hajko Masi.
BE-ja tashmë një javë kërkon lirimin e Navalnit, i cili ishte arrestuar më 17 janar pas kthimit nga Gjermania, ku ishte trajtuar për shkak të helmimit me agens nervor “noviçok”.
Të premten, kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishel i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putinit, duke kërkuar lirimin e Navalnit.