Kuvendi sot duhet të mbajë vazhdimin e seancës së 29-të, në të cilën pritet të votohet Propozim ligji për Regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021, në procedurë të shkurtuar.
Debati mbi Projektligjin në Kuvend, i cili duhet të mundësojë regjistrimin në vend pas 19 vjetësh, përfundoi më 15 janar. Më pas u njoftua se ligji do të votohet në vazhdimin e kësaj seance, që do të caktohet në mënyrë shtesë.
Përveç koalicionit qeverisës mbështetje për ligjin paralajmëruan gjithashtu edhe nga opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kurse kundër ligjit është opozita VMRO-DPMNE, e cila njoftoi se do të kërkojë anulimin e tij duke mbledhur nënshkrime të qytetarëve.
Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroise LSDM-ja dhe partnerët e tjerë të koalicionit, përfshirë BDI-në, mbeten plotësisht të përkushtuar për zhvillimin e suksesshëm të regjistrimit. Ai shpreson që Ligji për regjistrimin do të miratohet në Kuvend shumë shpejt dhe e karakterizon sjelljen e opozitës, VMRO-DPMNE-së si qesharake, të papërgjegjshme dhe të paarsyeshme.
“LSDM, si dhe partnerët e tjerë të koalicionit, por sigurisht edhe partneri i dytë i koalicionit BDI, mbeten plotësisht të përkushtuara në zbatimin e suksesshëm të regjistrimit të afirmimit të tij në pjesën e zbatimit dhe mbështetjes së tij. Kjo i referohet mbështetjes jo vetëm të partisë politike BDI por edhe të përfaqësuesve në Parlament, në Qeveri dhe në institucione dhe së fundmi, me apelin drejtuar të gjithë qytetarëve për të mbështetur vetë regjistrimin. Jam i bindur se do të kemi një operacion statistikor që përfundimisht do të tregojë të dhëna që do të jenë relevante, 100 për qind të sakta dhe do të na ndihmojë të krijojmë shumë politika ekonomike, zhvillim rajonal të ekuilibruar, politika të përshtatshme në të gjithë sektorët, arsimin, kulturën, kujdesin shëndetësor”, tha Zaev në një konferencë për media në Qeveri.
Në rendin e ditës së vazhdimit të seancës së 29-të të Kuvendit janë Projektligji për huazimin e Republikës së Maqedonisë të Veriut hua nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore në bazë të Marrëveshjes së huas për financimin e Projektit për avancimin e arsimit fillor, Projektligjet për ndryshimin e Ligjit për furnizimin me ujë të pijshëm dhe ndarjen e ujërave të zeza urbane dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, të gjitha në procedurë të shkurtuar.
Projektligji për ndryshimin e Ligjit për bibliotekat, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe Projektligji për Agjencinë e inteligjencës, në procedurë të shkurtuar, janë gjithashtu pjesë e pikave në seancën e 29-të