Nesër ndërpret së vlejturi masa restriktive për hotelierët. Ata sërish do të mund të punojnë deri në orën 21:00, por, nëse do të ketë vazhdim edhe për dy orë, deri më 23:00, siç kërkojnë, do të dihet javën e ardhshme.
Kët vendim Qeveria e solli dje dhe me të hiqet vendimi për kufizim të orarit të punës së restoranteve dhe objekteve të tjera të hotelierisë për punë deri në orën 18:00 që hyri në fuqi më 18 dhjetor të vitit të kaluar.
“Me këtë vendim, kthehet orari i punës së këtyre objekteve, konstatuar me vendimin paraprak, përkatësisht ata do të mund të punojnë deri në orën 21:00, me përjashtim të restoranteve dhe objekteve të tjera hotelierike në aeroporte, pompa të benzinës dhe në hotele, të cilat prej 21 janarit do të mund të punojnë me orar të rregullt në pajtim me ligjin”, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp.
Paraprakisht për vendimin qeveritar, përmes profileve të tyre në Fejsbuk infirmuan edhe kryeministri Zoran Zev, si dhe ministrat e Drejtësisë dhe Ekonomisë, Venko FIipçe dhe Kreshnik Bekteshi.
“Në seancën e sotme të qeverisë, i shqyrtuam udhëzimet epidemiologjike me ç’rast Qeveria solli vendim se duke filluar nga 21 janari, objektet hotelierike do të punojnë deri në ora 21:00. Me këtë vendim përfundon edhe kufizimi i jashtëzakonshëm i orarit të punës në objektet hotelierike të pompave të benzinave, si dhe për mysafirët e akomoduar në hotele, motele, hostele dhe ambiente të tjera akomodimi, ku ata do të jenë në gjendje të punojnë me orarin e rregullt të punës të përcaktuar me ligjin për punën e këto objekte hotelierike”, njoftoi Zaev.
Ministri Filipçe theksoi se javën e ardhshme, pasi do ta analizojnë situatën epidemiologjike në vend, është e mundur që masat të relaksohen edhe më tej.
Këtë e konfirmoi edhe Bekteshi.
“Në mbledhje të Qeverisë miratuam propozim, prej 21 janarit orari i objekteve hotelierike të jetë deri në orën 21:00. Javën e ardhshme, pasi që ta analizojmë gjendjen epideiologjike në vend, është i mundur lehtësimi shtesë i masave, përkatësisht orari i punës së objekteve hotelierike të jetë deri në orën 23:00”, qëndron në kumtesat e Filipçes dhe Bekteshit.
Ministri i Ekonomisë edhe pardje, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, tha se pret që orari i punës së objekteve hotelierike të vazhdohet deri në orën 23:00. Megjithatë, siç përmendi, kjo do të varet, para së gjithash, nga Komisioni për sëmundje ngjitëse.
“Nuk bëhet fjalë për protokolle të reja, ndërsa deri kur do të jetë vazhdimi i orarit të punës, do të varet nga Komisioni për sëmundje ngjitëse. Duke e pasur parasysh situatën, mendoj se do të jetë deri në orën 23:00”, theksoi Bekteshi.
Shkurtimi i orarit të punës së objekteve hotelierike hyri në fuqi më 18 dhjetor 2020 dhe në pajtim me vendimin qeveritar të miratuar sipas rekomandimit të Komisionit për sëmundje ngjitëse, duhet të përfundojë nesër, më 21 janar. Qëllimi i kësaj mase restriktive ishte parandalimi i përhapjes së KOVID-19. Objektet hotelierike, siç thanë atëherë, akoma janë të mendimit se asnjë objekt hotelierik që i respekton protokollet, nuk është burim, as shkak për përhapje të koronavirusit.