Presidenti i ri i zgjedhur i SHBA-së, Xhozef Bajden sot do ta japë betimin në Uashington dhe zyrtarisht do të bëhet presidenti i 46-të i vendit.
Ceremonia e inaugurimit e ashtuquajtur “Amerika e bashkuar” nuk do të jetë si inaugurimet e mëparshme, sepse organizatorët dhe autoritetet lokale në Uashington u kërkuan amerikanëve të mos vinin, por ta ndjekin ceremoninë përmes internetit në shtëpitë e tyre.
Siguria në Uashington do të përforcohet ndërsa Pentagoni publikoi se do të dërgojë të paktën 20.000 ushtarë të Gardës Kombëtare.
Gjatë mëngjesit të 20 janarit, Bajdeni do të marrë pjesë në meshën në katedralen Sent Metju në Uashington. Ai i ftoi demokratët Nensi Pelosi dhe Çak Shumer, si dhe republikanëve Kevin Mekarti dhe Miç Mekonel të jenë me të në meshë.
Presidenti i zgjedhur më pas do të marshojë me karvan deri në Kapitoll Hill ku fillon ceremonia e inaugurimit në orën 11 sipas kohës lokale (ora 17 sipas kohës evropiane-qendrore) në skenën e madh të vendosur përballë Qendrës tregtare kombëtare.
Himnin kombëtar do ta interpretojë ylli i popit, Lejdi Gaga në shkallët e Kapitoll Hillit, ndërsa këngëtarja Xhenifer Lopez do të ketë “performancë muzikore”, sipas bordit organizues.
Bajden dhe nënkryetarja, Kamala Haris do ta japin betimin në orën 12:00, më pas presidenti do ta mbajë fjalimin e tij inaugurues në të cilin duhet ta konfirmojë vizionin e tij për dëshirën për ta mposhtur pandeminë, më mirë të rikonstruohet, të bashkohet dhe të shërohet kombi, sipas komitetit organizues.
Në orët e hershme të pasdites, Bajden do të shkojë në varrezat kombëtare në Arlington afër Uashingtonit për të vendosur kurorë me lule në varrin e Heroit të panjohur së bashku me ish-presidentët amerikanë, Barak Obama, Xhorxh V. Bush dhe Bill Klinton dhe bashkëshortet e tyre. Ai do të kthehet me karvan në Uashington.
Karvani duhet të ndalet disa dhjetëra metra nga Shtëpia e Bardhë për t’i lejuar Bajdenit të hyjë më këmbë i rrethuar me përcjellje ushtarake. Ai aty do t’i nënshkruajë dekretet e para presidenciale pasdite.
Në mbrëmje sipas kohës lokale, Bajdeni dhe Kamalla Haris do t’i drejtohen kombit gjatë shout të veçantë në të cilën nikoqir është Tom Henks. Emisioni special “Celebrating America“ do të transmetohet nga ora 20:30 deri në orën 22:00 sipas kohës lokale në kanalet ABC, CBS, NBC, CNN dhe MSNBC, si dhe në Jutjub.
Mes mysafirëve të Henksit do të jenë dhe Xhon Bon Xhovi, Xhastin Timberlajk dhe Demi Lovato.
Presidenti në largim, Donald Tramp paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin. Ish-presidenti i SHBA-së, demokrati Xhimi Karter (96), nuk do të marrë pjesë në inaugurim për shkak të moshës së tij.